Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet e fundit që shoqëruan protestën para Ministrisë së Arsimit, ku një grup studentësh dhe gjimnazistësh kërkuan largimin e deputetëve të opozitës nga tubimi.
Sipas Berishës, pas këtyre ngjarjeve fshihet kryeministri Edi Rama, të cilin ai e akuzoi se kishte organizuar gjithë situatën me synimin për të përçarë protestuesit. Ai shtoi gjithashtu se në këtë skenar ishin përfshirë edhe individë të lidhur me policinë kriminale.
Duke iu drejtuar qytetarëve, Berisha i bëri thirrje që të qëndrojnë pranë protestës studentore, duke e quajtur të domosdoshëm largimin e Edi Ramës nga detyra e kryeministrit.
“Sot dështoi në mënyrën më të turpshme përpjekja e Edi Ramës për të përçarë protestën në mënyrën më të neveritshme. Ata të cilët si puna e Qorrit të tij deklarojnë se protestojnë për të përmirësuar Ramën, ata janë jago të revoltës studentore. Studentët e revoltuar, gjimnazistët, i kanë prerë biletën Edi Ramës. Nuk besojnë kurrë se ai mund të përmirësohet, janë të bindur se ka kryer krime të rënda dhe duhet të largohet nga pushteti. Dhe kjo pikërisht është përpjekje e dështuar e tyre për të izoluar studentët nga mbështetësit e vërtetë dhe të fuqishëm të tyre.
Në këtë përpjekje pati dhe të angazhuar nga policia kriminale, por që të gjithë morën përgjigjen e merituar. Sot Edi Rama me ortakët e tij dështoi në mënyrë përfundimtare të përçajë protestën. Protesta studentore ka nevojë jetike të mbështetet nga të gjithë ata që besojnë se Edi Rama është një e keqe e madhe në këtë vend që duhet të largohet menjëherë”,- tha Berisha.

