Dy të rinj nga Kraja shkojnë te pika kufitare me Shkodrën për të kërkuar hapjen e vendkalimit të premtuar prej më shumë se tre vitesh, por që ende nuk është vënë në funksion. Në vend të doganës, aty qëndrojnë vetëm blloqe betoni.
Ata kërkojnë heqjen e pengesave dhe hapjen e pikës kufitare, e cila do të afronte banorët e Krajës me Shkodrën, duke lehtësuar lëvizjen dhe shkëmbimet tregtare.
Për të rinjtë, ndarja nuk është vetëm fizike, por edhe një pengesë për lidhjet historike, kulturore dhe familjare mes dy zonave. “Jemi shqiptarë dhe shkodranë”, është mesazhi i tyre, teksa kërkojnë që kufiri të mos jetë më pengesë për bashkimin e banorëve.
Shiroka ndodhet vetëm 10 kilometra larg, por për shkak të mungesës së kësaj pike kalimi, udhëtimi përmes pikës ekzistuese zgjat gati dy orë.
Ata kujtojnë se kjo rrugë ka qenë e hapur përpara komunizmit dhe kërkojnë që një lidhje e tillë të rikthehet në shërbim të banorëve.
Burimi Portali Veriu Sot

