Një demonstratë e organizuar nga iniciativa “Gen Z regelt” në Hamburg këtë të shtunë pasdite u përshkallëzua në tension dhe trazira.
Sipas mediave lokale, incidentet nisën rreth orës pesë të pasdites, pasi një kamion me altoparlant deklaroi përfundimin e protestës. Në ato momente, pati përplasje mes pjesëmarrësve dhe forcave të policisë.
Afër stacionit qendror të autobusëve (ZOB), grupe të ndryshme protestuesish vendosën objekte në rrugë në përpjekje për të ngritur barrikada, të cilat më pas u dogjën. Njëkohësisht, ata hodhën shishe dhe gurë në drejtim të policisë.
Policia ndërhyri duke ndjekur protestuesit për të tentuar ndalimin e tyre.
Pas një fillimi të qetë të demonstratës, mbrëmja solli përshkallëzim të situatës: fishekzjarrë, gurë dhe gardhe të kantierëve të ndërtimit u hodhën drejt policëve të stacionuar. Protestuesit shkatërruan një kantier ndërtimi dhe i vunë zjarr një postblloku në rrugë.
Shumica mbanin veshje të zeza dhe kishin fytyrat e mbuluara. Një automjet me altoparlant i nxiste vazhdimisht protestuesit të vijonin dhe të kundërshtonin policinë.
“Ne jemi kundër sistemit, e urrejmë këtë shtet dhe policinë “, dëgjoheshin të thoshin ata.
Forcat e rendit formuan zinxhirë me oficerë të pajisur me helmeta dhe u përpoqën të ndanin protestuesit e dhunshëm nga ata paqësorë. Situata u komplikua pasi shumë spektatorë qëndronin mes palëve, ndërsa fishekzjarrët vazhdonin të hidheshin nga turma.
Për shuarjen e zjarreve, policia përdori topa uji. Në disa raste, u përdor edhe sprej me piper ndaj protestuesve.
Demonstrata kishte nisur kryesisht në mënyrë paqësore. Iniciativa “Gen Z regelt” kishte bërë thirrje për tubim në Jungfernstieg në orën 14:00. Rreth orës 15:00, pjesëmarrësit u grumbulluan në Jungfernstieg dhe marshimi filloi.
Policia raportoi se në kulmin e protestës morën pjesë rreth 6,700 persona. Ndërkohë, një zëdhënëse e organizatorëve “Gen Z regelt” vlerësoi se mes 6,000 dhe 7,000 persona ishin të pranishëm.

