Gjatë shqyrtimit të projektligjit për sektorin e peshkimit në Komisionin e Ligjeve, deputeti i PSD-së, Tedi Mula, ka kërkuar më shumë qartësi për mënyrën se si do të trajtohen problematikat që mund të hasin peshkatarët gjatë operimit.
Një prej shqetësimeve të ngritura prej tij lidhet me sistemet elektronike të monitorimit të anijeve. Mula pyeti se si do të veprohet në rastet kur sistemi nuk funksionon, ka probleme me internetin apo për arsye teknike nuk mund të transmetohen të dhënat. Sipas tij, duhet përcaktuar qartë nëse një situatë e tillë do të përbëjë shkelje dhe kush do të mbajë përgjegjësinë.
Deputeti kërkoi gjithashtu sqarime për procedurën e pajisjes me leje dhe autorizime, duke pyetur nëse vendimmarrja do t’i takojë ministrit apo Komisionit të Përhershëm të Shqyrtimit. Ai ngriti pikëpyetje edhe për mundësinë që këto procedura të krijojnë vonesa apo vështirësi për subjektet e sektorit.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte kostoja e naftës, që sipas Mulës përbën një prej barrëve kryesore financiare për peshkatarët.
Ai kërkoi të bëhet e qartë se çfarë mbështetjeje konkrete parashikohet për sektorin, veçanërisht sa i takon subvencionimit dhe uljes së kostove të karburantit.
“Rregullat duhet të jenë të qarta, procedurat të thjeshta dhe mbështetja për peshkatarët konkrete”, u shpreh Mula.

