Policia ka vendosur më shumë se 40 masa ndalimi për tifozët (Daspo), si dhe rreth 20 masa sigurie, pas incidentit të ndodhur para derbit Torino-Juventus më 24 maj. Këto masa janë pjesë e operacionit të zhvilluar nga “Digos” e Torinos pas përplasjeve të rënda mes tifozerive.
Zbatimi i masave të sigurisë është kryer jo vetëm në Torino, por gjithashtu në qytete të tjera të veriut të Italisë, përfshirë Milanon dhe Xhenovën. Sipas të dhënave, pjesëmarrës në këto ngjarje ishin ultrasit bardhezinj dhe granatë, që i përkasin grupeve të organizuara të të dyja tifozerive rivale.
Incidentet nisën para ndeshjes në Piazzale San Gabriele di Gorizia, ku tifozët e Juventusit u përplasën me forcat e policisë. Ndërkohë, ultrasit bardhezinj dhe turma e tifozëve granatë që lëvizte drejt tribunës Maratona patën gjithashtu një kontakt të dhunshëm. Nga këto përplasje mbeti i plagosur Marko Leonardo Basoku, i cili u godit nga një gaz lotsjellës i lëshuar në nivelin e trupit.

