65 persona janë regjistruar këtë vit, 10 më shumë se një vit më parë, ndërsa në të njëjtat banka shkollore ulen nxënës të grupmoshave të ndryshme
Shkolla me “kohë të pjesshme” në Shkodër po tërheq gjithnjë e më shumë persona që duan të rikthehen në arsim, qoftë për të vazhduar një rrugëtim të ndërprerë, qoftë për të përfunduar një cikël të lënë përgjysmë.
Për këtë vit të ri shkollor janë regjistruar 65 persona, 10 më shumë krahasuar me një vit më parë. Shifrat tregojnë një interes në rritje për këtë formë arsimimi, e cila u jep mundësi edhe atyre që për arsye të ndryshme e kanë ndërprerë shkollën, të rikthehen në bankat e saj.
Të regjistruarit vijnë nga zona të ndryshme të Shkodrës dhe njësitë përreth. Një tjetër veçori është diferenca në moshë mes nxënësve.
Në të njëjtat klasa zhvillojnë mësimin të rinj që kërkojnë të vijojnë arsimimin, por edhe persona më të rritur, të cilët pas disa vitesh kanë vendosur të rikthehen në shkollë dhe të përfundojnë arsimin e ndërprerë.

