Kreu i Partisë Demokratike në Shkodër, Ardit Çylybyli, ka reaguar ndaj qeverisë Rama, duke e përqendruar kritikën te 13 vitet e qeverisjes socialiste dhe zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Çylybyli rendit një sërë problematikash që, sipas tij, kanë shoqëruar këto vite, nga vështirësitë ekonomike dhe emigracioni masiv deri te rastet kur qytetarë janë përballur me procedime penale për çështje që lidhen me pamundësinë ekonomike.
Ai ndalet veçanërisht te debati i fundit për ndryshimet ligjore dhe lehtësimet e dënimeve, duke ngritur pikëpyetje nëse këto ndryshime u shërbejnë qytetarëve apo vijnë në një moment kur hetimet e drejtësisë po prekin persona pranë pushtetit.
“Ligji nuk mund të jetë i ashpër me të dobëtin e i butë me të fuqishmin”, shkruan Çylybyli, duke kërkuar që drejtësia të zbatohet në mënyrë të barabartë.
Sipas tij, pas 13 vitesh qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi për varfërinë, largimin e shqiptarëve nga vendi dhe skandalet apo abuzimet që ai ia atribuon qeverisjes socialiste.
Në reagimin e tij, kreu i PD-së Shkodër kritikon gjithashtu retorikën e qeverisë për drejtësinë, duke argumentuar se nuk mjafton të thuhet se “drejtësia po bën punën e saj”, nëse qytetarët perceptojnë një standard të ndryshëm në zbatimin e ligjit.
Në përmbyllje, Çylybyli shprehet se ndryshimi i ligjeve apo strategjive politike nuk mund të fshijë atë që, sipas tij, shqiptarët kanë përjetuar gjatë 13 viteve të qeverisjes së Ramës. Ai kërkon ligje që vendosin qytetarin në qendër dhe jo që, sipas tij, shërbejnë për mbrojtjen e pushtetit.

