Ndërtimi i murit kufitar midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës ka sjellë dëme të konsiderueshme një vizatimi të lashtë në tokën e Arizonës, të cilin studiuesit e vlerësojnë si të paktën 6,500 vjet të vjetër.
Kjo vepër, e njohur si gjeoglif – një vizatim me përmasa të mëdha në sipërfaqen e tokës – përshkruan një peshk të madh të gdhendur në shkretëtirë dhe konsiderohet si shembulli më i hershëm i identifikuar i këtij arti në kontinentin amerikan.
Krijimi i gjeoglifit daton shumë përpara ndërtimit të piramidës së parë në Egjipt dhe monumentit Stonehenge në Britani.
Sipas të dhënave, vizatimi ka pasur fillimisht një gjatësi prej rreth 83 metrash dhe më parë mendohej të ishte rreth një mijë vjet i vjetër.
Por kërkimet më të reja kanë zbuluar se ai është realizuar të paktën 6,500 vjet më parë, ndoshta deri në 7,500 vjet më parë.
Sipas Qendrës për Diversitetin Biologjik, punëtorët që ishin të kontraktuar për ndërtimin e një segmenti të ri të murit përgjatë kufirit Arizona-Meksikë në prill kanë dëmtuar gjeoglifin me makineritë e tyre, duke “gërvishtur” një pjesë prej rreth 15 metrash të vizatimit, raportoi NBC News sot.
Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së bëri të ditur se dëmtimi i zonës ka ndodhur në mënyrë të pavetëdijshme gjatë punimeve dhe se pjesa e mbetur tashmë është vendosur nën mbrojtje.
Shkatërrimi i pjesëve të gjeoglifit ka thelluar më tej tensionet mes komunitetit vendas indian dhe autoriteteve amerikane lidhur me ndërtimin e murit që kalon nëpër rezervatin e tyre.
Rezervati i fisit Tohono O’odham shtrihet përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, ku anëtarëve të tij u është lejuar të lëvizin ndërmjet të dy shteteve përmes verifikimeve të identitetit.

