Zbulohen detaje në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Shkodër mëngjesin e sotëm, ku një 24-vjeçar humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri dhe babai i tij mbeti i plagosur.
Ka qenë një sherr mes viktimës Ylber Luli dhe autorit Andri Vulaj ajo që ka çuar në ngjarjen e rëndë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 5:30 të mëngjësit në banesën e viktimës.
Pasi janë konfliktuar gjatë mbrëmjes në një lokal në zonën e Gjuhadolit, autori i dyshuar rreth orës 5:00 të mëngjesit ka shkuar në banesën e viktimëa me idenë për t’u sqaruar. Me vete i dyshuari i vrasjes kishte edhe një pistoletë.
Në bisedë e sipër, viktima dhe autori janë përleshur me njëri-tjetrin fizikisht ndërsa në këtë përleshje është përfshirë edhe babai i viktimës Qamil Luli.
Sipas Policisë së Shkodrës, babë e bir kanë plagosur me thikë shtetasin Andri Vulaj. Ky i fundit në konflikt e sipër ka nxjerrë armën, një pistoletë që kishte me vete duke qëlluar në drejtim të 24 vjeçarit i cili humbi jetën.
Ylber Luli ishte i angazhuar në sektorin e turizmit në Shkodër dhe ushtronte profesionin e udhërrëfyesit turistik.

