Në Tiranë po zhvillohet dita e 86-të e protestës, ku qytetarë të shumtë shprehin pakënaqësinë ndaj realitetit politik dhe social në vend.
Një prej pjesëmarrësve në tubim theksoi se motivet për të qenë në protestë janë të shumta, duke përmendur shqetësimet që, sipas tij, ndikojnë në jetën e qytetarëve në të gjitha zonat e Shqipërisë.
“Janë 101 mijë arsye që na sjellin në protestë. Nuk ka asnjë të drejtë të shqiptarëve. Janë rrënuar rrethet dhe fshatrat, janë mbyllur shkolla e spitale”, u shpreh qytetari.
I njëjti protestues vuri theksin edhe te pasiguria dhe vështirësitë me të cilat përballen qytetarët çdo ditë.
“Këtu është të ikësh natën në terr e jo ditën. Është ku thërret kiameti. Të dyja partitë janë bashkë, ky është një krim”, tha ai.
Pjesëmarrësi vazhdoi më tej me një thirrje për organizim më të madh dhe vazhdim të rezistencës, duke artikuluar një mesazh të fortë në lidhje me situatën aktuale politike.
“Nëse nuk bëhet një organizim, t’i ‘zhdukim’ këta, turp të kemi. O sot, o kurrë. Tiranën e ka mbytur droga dhe krimi”, deklaroi qytetari.
Protesta, e cila po zgjat prej 86 ditësh, mbledh pjesëmarrës që kërkojnë ndryshime në jetën politike dhe trajtimin e problemeve që, sipas tyre, po dëmtojnë vendin.

