Gjatë vitit 2025, vendi shënoi një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve të huaj me leje qëndrimi, tregojnë të dhënat e INSTAT. Në fund të vitit, në Shqipëri qëndronin me leje 32,163 shtetas të huaj, duke shënuar një rritje prej 47% në krahasim me vitin 2024.
Europianët zënë pjesën më të madhe të kësaj popullsie, me rreth 17 mijë shtetas, çka përfaqëson 53% të totalit të të huajve me leje qëndrimi. Kjo kategori u rrit me 18.5% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, rritja më e shpejtë është vërejtur në grupin e shtetasve nga Azia, numri i të cilëve u dyfishua duke arritur në 10 mijë, ose 118% më shumë se në vitin 2024. Shtetasit nga Amerika, Afrika dhe Oqeania arritën në afro 5,250 persona, regjistruar një rritje prej 73% nga viti i kaluar.
Arsyeja kryesore për lëshimin e lejeve të qëndrimit mbetet punësimi, që përbën 55% të totalit. Më pas vjen bashkimi familjar, që zë 20%, lejet për arsye humanitare që përfaqësojnë 8%, si dhe lejet për studime me 3% të numrit total të lejeve.
Rritje të ndjeshme kanë pësuar edhe aplikimet e reja për leje qëndrimi gjatë vitit 2025, të cilat janë shtuar me 44% në raport me një vit më parë.
Në këtë prirje dallohet sidomos numri i qytetarëve nga India dhe Filipinet, ku sipas INSTAT është regjistruar një rritje e fortë e kërkesave për leje qëndrimi. Kjo lidhet ngushtë me nevojat në rritje të tregut shqiptar të punës, veçanërisht në sektorët e shërbimeve, akomodimit dhe punëve shtëpiake, përfshirë punonjës të profileve si kamerierë, pastrues, kujdestarë fëmijësh dhe të moshuarish.
Njëkohësisht me rritjen e të huajve të pajisur me leje, është vënë re edhe një shtim i rasteve të qëndrimit të parregullt. Gjatë vitit 2025, janë identifikuar 1,900 persona në qëndrim të parregullt, krahasuar me 1,540 të tillë në vitin 2024.
Statistikat tregojnë se 65% e shtetasve të huaj me leje qëndrimi janë meshkuj dhe 35% janë femra, ndërsa grupmosha më e përfaqësuar është ajo 30–39 vjeç, që përbën 25% të totalit të të huajve me leje qëndrimi në vend.

