Policia spanjolle ka sekuestruar 1.410 kg kokainë dhe ka arrestuar tre persona gjatë një operacioni të zhvilluar në zonën A Pobra do Caramiñal, në provincën e Korunjë.
Mes të arrestuarve ndodhet edhe personi i dyshuar si kreu i bandës së njohur historike “Fanchos”, e cila dyshohet se ishte përfshirë në marrjen dhe fshehjen e ngarkesës së drogës.
Operacioni nisi më 20 gusht, pas informacionit të mbërritur te autoritetet spanjolle për ardhjen nga deti të një sasie të konsiderueshme kokaine.
Sipas të dhënave të hetimit, dy mjete lundruese dyshohet se transportuan ngarkesën e drogës drejt një plazhi në A Pobra do Caramiñal, ndërsa banda “Fanchos” dyshohet se kishte marrë përsipër shkarkimin dhe fshehjen përkohësisht të lëndës narkotike.
Në hetim mori pjesë edhe Administrata Amerikane për Luftën kundër Drogës (DEA). Autoritetet spanjolle u përqendruan veçanërisht te personi i dyshuar si drejtuesi i grupit, me qëllim përcaktimin e rolit të tij në transportin dhe trafikimin e kokainës.

