Klit Hoti ka reaguar kundër “Paketës së Maleve”, duke ngritur shqetësimin për ndikimin që, sipas tij, ligji mund të ketë mbi zonat e mbrojtura në Qarkun e Shkodrës.
Në një reagim publik, Hoti thotë se rreth 31,942.5 hektarë zona të mbrojtura në Shkodër përfshihen në territoret e prekura nga ligji.
Ai veçon Parkun Kombëtar të Alpeve, Thethin, si dhe Rezervatin Natyror të Liqenit të Shkodrës dhe Bunës, duke argumentuar se bëhet fjalë për pasuri me rëndësi të veçantë natyrore dhe turistike.
Sipas Hotit, këto territore përbëjnë rreth 76.2% të sipërfaqes së shpallur të mbrojtur në Qarkun e Shkodrës dhe 22.55% të zonave të mbrojtura që preken nga ligji në rang vendi.
Hoti kërkon anulimin e ligjit, duke paralajmëruar se vënia në dispozicion e këtyre territoreve për shfrytëzim privat mund të sjellë pasoja afatgjata për pasurinë natyrore të Shkodrës.


