Mungesa e ujit vijon të jetë problem për banorët e Bërdicës së Mesme dhe Bërdicës së Madhe.
Sipas deputetit Kliti Hoti, qindra familje në këto zona furnizohen me ujë vetëm për rreth 90 minuta në ditë, ndërsa pompat punojnë për një kohë të kufizuar.
Banorët shprehen të shqetësuar për situatën, pasi pavarësisht furnizimit të pamjaftueshëm, tarifa e ujit paguhet rregullisht çdo muaj.
“Vetëm pak më shumë se 1 kilometër larg lumit Drin, qindra familje përballen çdo ditë me mungesën e ujit”, shkruan Hoti, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.
Familjet kërkojnë një zgjidhje konkrete dhe furnizim të qëndrueshëm me ujë, veçanërisht në një periudhë kur nevoja për këtë shërbim është edhe më e madhe.

