Marjana Koçeku është shfaqur në Kuvend në nisje të sesionit të ri parlamentar, këtë herë si deputete e pavarur, pas largimit nga Partia Socialiste.
Para nisjes së seancës plenare, Koçeku deklaroi se do ta çojë në Parlament zërin e qytetarëve që protestojnë, duke e cilësuar aktivizimin qytetar si një tregues të rëndësishëm për demokracinë në vend.
Sipas saj, kërkesat e protestuesve për drejtësi dhe transparencë nuk duhet të injorohen dhe duhet të dëgjohen edhe brenda institucioneve.
Koçeku u zgjodh deputete në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, pasi kryesoi listën e mbyllur të PS-së në qarkun Shkodër.
Marrëdhënia e saj me socialistët u përkeqësua pas disa përplasjeve publike me kryeministrin Edi Rama, çka kulmoi me dorëheqjen nga grupi parlamentar i PS-së dhe kalimin në radhët e deputetëve të pavarur.

