Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” po synon të zgjerojë bashkëpunimin me institucionet universitare në Shtetet e Bashkuara, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik.
Në këtë kuadër, u zhvillua një takim mes Rektores së Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Blerta Dragusha, Dekanes së Fakultetit Ekonomik, Elidiana Bashi, dhe Prof. Ted Oelfke nga North Carolina, SHBA.
Prof. Oelfke ka dhënë prej afro 20 vitesh kontribut në mbështetje të Universitetit të Shkodrës, veçanërisht në Fakultetin Ekonomik. Kontributi i tij është shtrirë në fushën e mësimdhënies, zhvillimin e infrastrukturës dhe pasurimin e literaturës akademike, si dhe në krijimin e mundësive për shkëmbime akademike mes pedagogëve, studentëve dhe institucioneve universitare shqiptare e amerikane.
Gjatë takimit u diskutua për mundësi të reja bashkëpunimi dhe për vendosjen e marrëdhënieve me universitete të tjera në SHBA. Synimi është zgjerimi i programeve të mobilitetit akademik, shkëmbimi i eksperiencave dhe krijimi i mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Shkodrës.
Bashkëpunime të tilla synojnë të forcojnë lidhjet mes Universitetit të Shkodrës dhe botës akademike amerikane, duke i dhënë studentëve dhe pedagogëve më shumë mundësi për zhvillim, shkëmbim njohurish dhe përvojash.

