Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer në fshatin Plan i Bardhë, që ndodhet në Bashkinë Klos. Flakët fillimisht kanë përfshirë zonat me ferra dhe dushqe, por për shkak të erës së fortë, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke shkrumbuar edhe një banesë të pabanuar.
Një tjetër shqetësim vjen nga fakti se brenda rrezes së zjarrit ndodhet edhe një kabinë elektrike, e cila po kërcënohet nga flakët.
Forcat zjarrfikëse nga Klosi, Burreli dhe Bulqiza kanë mbërritur menjëherë në terren. Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, ka bërë me dije se priten të bashkohen edhe ekipet zjarrfikëse nga Dibra, së bashku me trupa të Ushtrisë, pasi përhapja e flakëve po ndihmohet nga era dhe zjarri është zgjeruar ndjeshëm.
Operacioni për të vënë nën kontroll vatrën e zjarrit është ende në zhvillim. Ndërkohë, autoritetet kanë apeluar tek banorët që të evitojnë zonën dhe të ndjekin udhëzimet që japin strukturat e emergjencës.

