Një nga rrjetet më të mëdha të trafikut të drogës dhe kontrabandës së emigrantëve mes Spanjës dhe Algjerisë është zbuluar dhe shkatërruar nga policia spanjolle, e cila ka arrestuar 78 persona. Nga të ndaluarit, 27 janë dërguar në paraburgim të përkohshëm.
Sipas informacioneve të bëra publike nga autoritetet, ky grup kriminal përdorte motoskafe me motorë të fuqishëm për të transportuar drogë sintetike, kryesisht MDMA, nga Spanja në drejtim të Algjerisë. Në rrugën e kthimit, të njëjtat mjete shërbenin për të sjellë emigrantë drejt brigjeve të Gadishullit Iberik ose Ishujve Balearik.
Hetimet zbuluan se organizata kishte kryer 64 udhëtime detare, ku rreth 2.000 emigrantë u kontrabanduan drejt Spanjës, duke siguruar të ardhura mbi 24 milionë euro. Kalimet ilegale realizoheshin në rrethana jashtëzakonisht të rrezikshme. Sipas policisë, motoskafët nga 8 deri në 14 metra të gjatë shpesh lundronin pa pajisje sigurie si jelekë shpëtimi, dhe shpesh në det të trazuar. Herë pas here, udhëtarët lidheshe me litarë për të mos u hedhur në det gjatë udhëtimeve me shpejtësi të madhe.
Çmimi i një bilete për këto udhëtime shkonte deri në 12.000 euro për person, ndërkohë që një motoskaf mund të transportonte deri në 50 persona. Gjatë aksionit, policia kapi dhe sekuestroi 18 motoskafe të përdorura nga rrjeti kriminal, vlera e të cilave mund të shkojë në rreth 5 milionë euro.
Sipas hetuesve, trafikantët tregonin një shkallë të lartë dhune për të mbrojtur mjetet e tyre, duke i udhëzuar drejtuesit e motoskafeve të përplaseshin me patrullat e policisë për të shmangur konfiskimin. Policia spanjolle njoftoi se në mesin e 78 të arrestuarve janë edhe katër prej drejtuesve kryesorë të grupit kriminal. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Europol dhe autoritetet e rendit të Francës, Portugalisë dhe Polonisë, pas një hetimi të nisur që në vitin 2023.
Hetuesit theksuan se përmes këtij operacioni arritën të identifikojnë dhe çmontojnë një organizatë kriminale ndërkufitare që kishte operuar prej vitesh në Mesdhe, duke kombinuar trafikimin e drogës me kontrabandën e emigrantëve. Sipas autoriteteve, Ishujt Balearik – Mallorka, Menorka dhe Ibiza – janë kthyer vitet e fundit në një nga rrugët kryesore të emigracionit të paligjshëm nga Afrika e Veriut, veçanërisht nga Algjeria, drejt Evropës.

