Të paktën 14 persona, përfshirë pesë oficerë policie, u vranë dhe 18 të tjerë mbetën të plagosur gjatë një sulmi vetëvrasës që ndodhi sot në një tubim publik në veriperëndim të Pakistanit. Ngjarja vjen në një periudhë ku vendi po përballet me një valë të re dhune.
Shpërthimi ndodhi në zonën Kabal, në luginën Swat të provincës Khyber Pakhtunkhwa, përpara godinës së një stacioni policie. Aty ishin mbledhur qindra qytetarë që protestonin kundër shtimit të aktiviteteve militante në atë rajon.
Bilal Faizai, zëdhënësi i shërbimit provincial të emergjencës, bëri të ditur se mes të vrarëve numërohen pesë efektivë të policisë, ndërsa të plagosurit janë të paktën 18 vetë.
Video dhe fotografi të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur një folës po mbante fjalimin, dhe menjëherë pas shpërthimit, në rreshtat e protestuesve ra paniku.
Nga deklaratat e një zyrtari të policisë lokale, autori i dyshuar për të cilin besohet se ishte sulmuesi vetëvrasës, hodhi veten në erë pasi iu kërkua të kalonte një kontroll sigurie para hyrjes në stacionin e policisë.
Asnjë organizatë nuk ka marrë ende përgjegjësinë për këtë sulm.
Ngjarja u dënua nga presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, dhe kryeministri Shehbaz Sharif.
Zardari deklaroi se “terroristët nuk do të kenë kurrë sukses në përpjekjet e tyre të liga për të dëmtuar paqen, unitetin kombëtar dhe autoritetin e shtetit”.
Lugina e Swatit ka qenë nën kontrollin e talebanëve nga viti 2007 deri në 2009, derisa një ofensivë ushtarake i largoi forcat militante nga territori.

