Kursi i këmbimit Euro-Lek po karakterizohet nga presione të vazhdueshme në rënie dhe preku ditën e enjte një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 93.57 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Që nga fillimi i vitit, kursi i Euros ka rënë me 3.3%, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 4.1%.
Sipas agjentëve të këmbimit, kursi vazhdon të ndikohet nga oferta e lartë e valutës, e lidhur kryesisht me sezonin turistik. Gjysma e dytë e muajit korrik dhe gjysma e parë e muajit gusht shënojnë pikun e sezonit turistik; rrjedhimisht edhe efekti më i fortë sezonal në kursin e këmbimit. Në këtë fazë, forcimi i presioneve rënëse mbi kursin e Euros është një tendencë pak a shumë normale.
Megjithatë, ajo që është vërejtur në vitet e fundit është një rënia e vazhdueshme e Euros edhe jashtë sezonit veror, që sinjalizon një rritje të vazhdueshme të ofertës valutore në ekonominë shqiptare.
Për aq sa tregojnë statistikat zyrtare, kjo mund të shpjegohet sidomos me rritjen e vazhdueshme të të ardhurave nga turizmi dhe shërbimet, por edhe me rritjen e investimeve nga jashtë, sidomos në pasuri të paluajtshme.
Bilanci i pagesave u përmirësua ndjeshëm vitin e kaluar dhe shënoi deficitin më të ulët historik.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për 2025 deficiti i llogarisë korrente kishte vlerën e 178 milionë eurove, 70% më pak krahasuar me vitin 2024.
Megjithatë, në publik vazhdon të ekzistojë një perceptim i fortë se prurjet valutore janë të lidhura në një masë të madhe edhe me aktivitetet kriminale. Zbulimi i disa skemave të pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit nga Prokororia e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar e mbështet këtë perceptim.
Pjesërisht, rënia e Euros kundrejt Lekut besohet se po nxitet edhe nga një tendencë në tkurrje e ofertës së monedhës vendase në tregun e brendshëm, kryesisht për shkak të politikës fiskale të ndjekur nga Qeveria Shqiptare. Në vitet e fundit, buxheti po qëndron në suficit për pjesën më të madhe të vitit. Për 6-mujorin 2026, suficiti buxhetor arriti vlerën rekord të 52.8 miliardë lekëve, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Këta faktorë po ushtrojnë presion të vazhdueshëm në zhvlerësimin e Euros dhe në forcimin e monedhës vendase. Që prej vitit 2024, Banka e Shqipërisë po përpiqet nga zbusë ritmin e forcimit të lekut, nëpërmjet blerjeve të mëdha të valutës në tregun e brendshëm.
Që prej fillimit të vitit 2024 deri në fund të 3-mujorit 2026, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu gati 2.2 miliardë euro. Vetëm për tremujorin e parë të këtij viti, blerjen kishin vlerën e 140 milionë eurove, një rekord për këtë periudhë të vitit.
Megjithatë, as ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk e kanë frenuar dot plotësisht rënien e kursit të Euros. Me inflacionin që po shfaq tendenca të dukshme në rritje, edhe hapësirat e Bankës së Shqipërisë për të vijuar blerjet intensive të valutës po ngushtohen. Në qershor, inflacioni arriti në 3.2%, ndërsa përbërësi i inflacionit bazë arriti në 3.5%. /Monitor

