Për një kohë të gjatë, pastrimi ka qenë një nga premtimet kryesore të kryebashkiakut Benet Beci, por realiteti në terren tregon se beteja me mbeturinat po humbet dita-ditës. Në shumë zona të qytetit, koshat mbeten të tejmbushur gjatë gjithë ditës, duke krijuar ndotje, erë të rëndë dhe një pamje aspak dinjitoze për banorët dhe turistët.
Problemet nuk ndalen vetëm te mbeturinat. Edhe shatërvani në qendër të qytetit paraqitet i ndotur dhe pa mirëmbajtjen e nevojshme, ndërsa shatërvani pranë rrethrrotullimit të teatrit nuk funksionon prej muajsh. Këto janë detaje që ndikojnë drejtpërdrejt në imazhin e Shkodrës dhe ngrenë pikëpyetje mbi mirëmbajtjen e hapësirave publike, pavarësisht se pastrimi dhe administrimi i tyre janë pjesë e përgjegjësive të bashkisë.

