Dyshime për kontrabandë çipash drejt Kinës, hetimi amerikan zbulon lidhjen e biznesmenes kineze me CEO-n e Nvidia-s

Publikuar me datë:

Një hetim amerikan për një rrjet të dyshuar të kontrabandës së mikroçipave të avancuar drejt Kinës ka vënë në qendër të vëmendjes Alice Huang, një biznesmene kineze që dyshohet se ka mbledhur informacione tregtare në interes të Pekinit. Në fokus të hetuesve është edhe marrëdhënia e saj e raportuar me Jensen Huang, drejtorin ekzekutiv të gjigantit teknologjik Nvidia. Sipas raportimeve të The New York Times dhe The Guardian, autoritetet amerikane po hetojnë nëse një rrjet kompanish në Azinë Juglindore ka ndihmuar firmat kineze të anashkalojnë kufizimet e eksporteve të çipave të inteligjencës artificiale. Paralelisht, hetimi përfshin dyshime për spiunazh dhe mbledhje të informacionit të ndjeshëm tregtar në emër të Kinës.

Në qendër të kësaj çështjeje ndodhet Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, e lidhur me kompaninë Megaspeed, me seli në Singapor. Kjo kompani blen pajisje kompjuterike të pajisura me çipa Nvidia dhe ua jep me qira kapacitetin e qendrave të të dhënave bizneseve, mes tyre edhe gjigantit kinez Alibaba. Sipas The New York Times, hetimi ndaj Megaspeed daton që në fund të vitit 2024. Dyshimet u shtuan pasi një zyrtar i Departamentit amerikan të Tregtisë, gjatë një vizite në një qendër të dhënash të kompanisë në Malajzi, konstatoi pajisje Nvidia ende të paketuara në kuti, duke ngritur pikëpyetje nëse ato do të instaloheshin në objekt apo do të dërgoheshin diku tjetër.

Të dhënat tregtare të siguruara nga ImportGenius dhe të cituara nga gazeta tregojnë se kompania simotër e Megaspeed në Malajzi kishte blerë pajisje të avancuara të inteligjencës artificiale, me vlerë të paktën 4.8 miliardë dollarë, gjatë periudhës qershor 2024-shkurt 2026. Autoritetet amerikane dyshojnë se një pjesë e çipave të siguruar përmes këtij rrjeti mund të jetë kanalizuar në mënyrë të paligjshme drejt Kinës. Alice Huang është marrë në pyetje edhe nga autoritetet e Singaporit në vitin 2025, përpara se të lirohej. Hetimi, i cili fillimisht drejtohej nga Departamenti i Tregtisë, iu transferua këtë vit Departamentit të Drejtësisë në SHBA.

Një prej elementeve më të ndjeshme të çështjes është marrëdhënia e raportuar mes Alice Huang dhe Jensen Huang, të cilët nuk kanë lidhje familjare. Sipas The New York Times, agjencitë amerikane të inteligjencës zbuluan se të dy kishin krijuar një marrëdhënie të afërt, ndërsa hetonin aktivitetet dhe lidhjet e biznesmenes me Pekinin. Marrëdhënia dyshohet se u evidentua pasi agjencitë amerikane përgjuan komunikime ku përfshihej Alice Huang dhe një shtetas amerikan. Përmes një procesi të njohur si “demaskim”, identiteti i këtij shtetasi u zbulua si Jensen Huang. Të dy janë fotografuar së bashku në Taipei në qershor 2024, pas një panairi teknologjik. Në fotografitë e publikuara nga kompania NetThunder, Jensen Huang shfaqet ulur pranë Alice Huang dhe drejtuesve të tjerë. Ata janë parë sërish bashkë në maj 2025, duke dalë nga një restorant në Taipei pas një darke pune me përfaqësues të sektorit të inteligjencës artificiale.

Sipas raportimit, shqetësimi i agjencive amerikane lidhej edhe me mundësinë që Alice Huang të kishte siguruar informacione për planet tregtare të Nvidia-s përmes kontakteve me drejtuesin e kompanisë. Hetuesit ngritën gjithashtu pikëpyetje nëse këto kontakte mund t’i kishin dhënë Pekinit të dhëna mbi qëndrimin e administratës Trump për eksportet e çipave të avancuar drejt Kinës. Çështja merr rëndësi të veçantë edhe për shkak të rolit të Jensen Huang në diskutimet me administratën amerikane. Drejtuesi i Nvidia-s ka lobuar për lehtësimin e kufizimeve mbi shitjen e çipave të kompanisë në tregun kinez, ndërsa njëkohësisht është shfaqur si një nga bashkëbiseduesit kryesorë të administratës Trump për çështjet e teknologjisë dhe sigurisë kombëtare. The New York Times raportoi se presidenti Donald Trump ishte informuar rreth një vit më parë për gjetjet e inteligjencës. Megjithatë, sipas zyrtarëve të cituar nga gazeta, nuk kishte të dhëna se Jensen Huang ishte në dijeni të dyshimeve që rëndonin mbi biznesmenen.

Nga ana e Nvidia-s, zëdhënësi John Rizzo deklaroi se takimet me klientët janë pjesë normale e detyrave të një drejtuesi ekzekutiv. “Ndërveprimet e Jensen me znj. Huang nuk janë të pazakonta ose të papritura. Takimet me klientët janë pjesë e punës së një CEO-je; Jensen flet me mijëra drejtues klientësh çdo vit”, u shpreh ai. Megaspeed deklaroi se drejtuesit aktualë po i trajtojnë seriozisht akuzat, duke bërë të ditur se kanë angazhuar këshilltarë ligjorë të jashtëm për një hetim të brendshëm dhe kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet amerikane. Sipas raportimeve, Alice Huang vijon të jetë nën vëzhgimin e agjencive amerikane të inteligjencës. Deri më tani, dyshimet ndaj saj janë pjesë e një hetimi në vazhdim dhe nuk përbëjnë një përfundim të provuar për përfshirjen e saj në spiunazh apo kontrabandë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related