Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar situatën ekonomike në vend.
Në një postim në rrjete sociale, Tabaku shkruan se modeli ekonomik i vendit, ka ndikuar në rritjen e pabarazive dhe deformimin e tregut.
Sipas saj, sistemi aktual ka favorizuar një pakicë të lidhur me pushtetin, ndërsa ka dëmtuar shtresat e gjera të shoqërisë.
‘Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi një ekonomi të ngritur mbi privilegjin, klientelizmin dhe pandëshkueshmërinë. Ndryshimi nuk është më vetëm një kërkesë politike. Është një domosdoshmëri ekonomike,- shprehet Tabaku ndër të tjera.
Deklarata e plotë:
Tre javë me radhë, mijëra shqiptarë kanë dalë në shesh përballë një sistemi ekonomik që ka zhvlerësuar punën, mundin dhe të ardhurat e tyre. Një sistem që nuk ka prodhuar mirëqenie, por ka pasuruar një pakicë. Një sistem që është shtrirë në mënyrë kapilare në politikë, duke e kthyer Parlamentin nga institucioni që kontrollon qeverinë në një noter të vendimeve të një elite që mendon vetëm për mbijetesën e saj.
Në mes të kësaj revolte qytetare, libri i trashë “Albanian Files” u kthye në provën që shumë shqiptarë e ndienin prej vitesh, por nuk mund ta dokumentonin. Një përpjekje për të rregulluar vetullat përfundoi duke nxjerrë sytë. Shqiptarët panë me dëshmi të dorës së parë pse sot u duhen gati njëzet vite pune për të blerë një apartament modest, ndërkohë që çmimet në Tiranë konkurrojnë, madje tejkalojnë, qytete si Milano, Berlini apo Amsterdami.
Ky nuk është thjesht një problem i tregut të pasurive të paluajtshme. Është dëshmia se ekonomia është deformuar nga një model që nuk krijon vlerë, por riciklon para. Një model ku statusi i “investitorit strategjik” nuk është përdorur për të tërhequr investime produktive, por për të krijuar privilegje fiskale dhe administrative. Përjashtime nga taksat, TVSH e reduktuar dhe procedura të përshpejtuara janë shndërruar në mekanizma që favorizojnë një sektor të vetëm, ndërsa ekonomia reale mbetet pa mbështetje.
Lidhja mes pushtetit dhe parasë së pistë nuk kufizohet vetëm te tokat e Zvernecit apo në jug të vendit. Ajo është bërë pjesë e modelit ekonomik. Mjafton të shohësh se ku kanë shkuar prioritetet e qeverisë.
Bujqësia është lënë në faliment, sepse instrumentet financiare dhe mbështetja publike janë orientuar drejt ndërtimit. Industria prodhuese po humbet konkurrueshmërinë nën të njëjtin model. Prokurimet publike janë shndërruar në një mekanizëm ku taksat e shqiptarëve kompensojnë interesa të lidhura me këtë sistem. Investimet e huaja janë përqendruar gjithnjë e më shumë në pasuri të paluajtshme, ndërsa sektorët që krijojnë teknologji, industri dhe vende pune me vlerë të shtuar mbeten vetëm në strategji dhe dokumente.
Asgjë nga kjo nuk është rastësi. Çdo sistem ka autorët e vet. Ka ata që e projektojnë, ata që e zbatojnë dhe ata që e legjitimojnë.
Ideatori është kryeministri. Aparati janë ministrat. Ndërsa shumica socialiste në Kuvend ka pranuar rolin e noterit politik të këtij modeli.
Pikërisht për këtë arsye, përballë një strukture kaq të konsoliduar, bashkimi i qytetarëve është jetik. Shqipëria ka nevojë jo vetëm për ndryshim politik, por edhe për zbardhjen e plotë të mënyrës se si është ndërtuar ky sistem. Një hetim parlamentar i plotë, transparent dhe i pakushtëzuar duhet të dokumentojë përgjegjësitë institucionale dhe t’ia kalojë drejtësisë çdo shkelje që rezulton nga ky proces.
Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi një ekonomi të ngritur mbi privilegjin, klientelizmin dhe pandëshkueshmërinë. Ndryshimi nuk është më vetëm një kërkesë politike. Është një domosdoshmëri ekonomike, demokratike dhe kombëtare. E kërkon e tashmja, por mbi të gjitha e kërkon e ardhmja e këtij vendi.

