Më shumë se 2 mijë raste të Ebolës, përfshirë 754 vdekje, janë regjistruar në Republikën Demokratike të Kongos që nga fillimi i shpërthimit të epidemisë, sipas autoriteteve shëndetësore të vendit.
Organizata “Mjekët pa Kufij” ka paralajmëruar se epidemia po përhapet me një “ritëm të paparë”, ndërsa në më pak se pesë javë numri i rasteve të konfirmuara është trefishuar dhe numri i viktimave është rritur më shumë se pesëfish.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), përmasat reale të epidemisë mund të jenë shumë më të mëdha se vlerësimet zyrtare. OBSH ka deklaruar se shpërthimi i shkaktuar nga lloji Bundibugyo i virusit Ebola mund të jetë dy deri në katër herë më i madh nga sa mendohet aktualisht.
Ky variant i virusit nuk ka ende një vaksinë apo trajtim të miratuar specifik, megjithatë ka nisur prova e parë klinike për të vlerësuar efektivitetin e një medikamenti antiviral.
“Mjekët pa Kufij” bëjnë thirrje për një forcim urgjent të reagimit mjekësor, duke theksuar se epidemia tashmë ka kaluar gjysmën e numrit të rasteve të regjistruara gjatë shpërthimit të madh të Ebolës në Kongo në vitet 2018-2020, i cili zgjati për afro dy vjet.
Shpërthimi aktual u shpall më 15 maj në provincën Ituri, në verilindje të Republikës Demokratike të Kongos, një zonë e pasur me minerale ku aktiviteti i grupeve të armatosura ka shkaktuar prej vitesh pasiguri dhe dhunë.
Raste të Ebolës janë raportuar në pesë provinca të Kongos, si dhe në Ugandën fqinje. Megjithatë, mbi 90% e infeksioneve vazhdojnë të jenë të përqendruara në Ituri, duke e kthyer zonën në epiqendrën e krizës shëndetësore.

