Është përmbyllur procesi i përzgjedhjes së kompanisë që do të ndërtojë segmentin rrugor Milot–Balldren, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian. Sipas Buletinit të Agjencisë së Prokurimit Publik, kontrata i është dhënë bashkimit të operatorëve “Salillari” sh.p.k., “ALB TIEFBAU” sh.p.k., “InfraKonsult” sh.p.k. dhe “ERALD-G” sh.p.k.
Vlera e projektit është 364.7 milionë euro pa TVSH. Oferta fituese u vlerësua me 93 pikë, duke lënë pas dy konsorciume të tjera, të cilat paraqitën të njëjtën ofertë financiare, por nuk kaluan fazën e vlerësimit teknik.
Autostrada do të shtrihet në një gjatësi prej 17 kilometrash dhe do të përfshijë edhe ndërtimin e një tuneli rreth 850 metra të gjatë. Sipas përllogaritjeve, investimi mesatar arrin në rreth 21.5 milionë euro për çdo kilometër të ndërtuar.
Sipas planifikimit, punimet pritet të përfundojnë në fund të vitit 2028. Aksi do të lidhë nyjën e Milotit me zonën e Balldrenit, duke krijuar një lidhje të rëndësishme me segmentet Thumanë–Kashar–Lekaj, Rrugën e Kombit dhe rrugën Tiranë–Shkodër.
Edhe ky segment do të funksionojë me tarifë kalimi, ndërsa paralelisht do të ndërtohet një rrugë alternative pa pagesë për përdoruesit. Financimi do të realizohet nga koncesionari privat, i cili do të rikuperojë investimin përmes tarifave të qarkullimit pas përfundimit të veprës.

