Ndërsa kundërshtimet ndaj projektit të Zvërnecit vazhdojnë të fokusohen te ndikimi në mjedis, çështjet e pronësisë dhe transparenca e procedurave, në rrjetet sociale po përhapet një tjetër debat. Postime, video dhe komente që qarkullojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë po e lidhin investimin me Izraelin, konfliktin në Gaza dhe pretendimet për vendosjen e kolonëve izraelitë.
Një video e publikuar në rrjetin social Instagram me mbishkrimin “dasëm vlonjate 2030” paraqet burra me veshje tradicionale hebraike duke kërcyer në një sallë festash, ndërsa në fund shfaqet kryeministri Edi Rama duke qeshur. E krijuar si një skenar imagjinar për të ardhmen, videoja sugjeron një Vlorë të transformuar nga prania izraelite, një narrativë që po shfaqet gjithnjë e më shpesh në debatin në internet për projektin e Zvërnecit.
Videoja u publikua më 1 qershor nga faqja e Instagramit “Do ecësh në jetë”, e ndjekur nga rreth 20 mijë përdorues. Brenda pak ditësh, ajo kishte marrë mbi 4.1 mijë pëlqime dhe më shumë se 900 komente, shifra që tregojnë interesin dhe angazhimin që po gjenerojnë përmbajtje të tilla në rrjetet sociale.
Videoja është vetëm një prej dhjetëra postimeve, memeve dhe materialeve të shpërndara gjatë ditëve të fundit në rrjetet sociale edhe jashtë Shqipërisë. Ndërsa projekti është vënë nën hetim nga SPAK dhe debati në terren vazhdon për mjedisin, transparencën dhe pronat, një pjesë e përmbajtjeve në internet po e lidhin investimin me pretendime për vendosjen e kolonëve izraelitë ose marrjen e Zvërnecit nga Izraeli.
Sipas ekspertes së monitorimit të informacionit, përmbajtje të tilla kanë tendencën të zhvendosin vëmendjen e publikut nga faktet e një projekti drejt narrativave më të gjera që ngjallin reagime emocionale.
“Në rrjetet sociale, narrativat që lidhen me tema ndërkombëtare zakonisht përhapen më shpejt sesa informacioni teknik apo juridik. Për pasojë publiku mund të fillojë ta perceptojë çështjen jo më përmes dokumenteve dhe fakteve të projektit, por përmes simbolikave dhe konflikteve që njihen globalisht” tha Inva Hasanaliaj, gazetare dhe themeluese e “PressShield” një platformë për mbrojtjen e gazetarëve.
Sipas Hasanaliajt, rasti i Zvërnecit ndjek një model që është vërejtur edhe në debate të tjera publike, ku një çështje lokale gradualisht fillon të interpretohet përmes narrativave dhe konflikteve ndërkombëtare.
“Nga ajo që kam parë duke monitoruar diskutimin publik, më duket se po ndodh një fenomen që e kemi parë edhe në raste të tjera: një debat që fillon si çështje lokale, me pyetje konkrete për ligjshmërinë, ndikimin mjedisor, investimin apo procedurat, gradualisht fillon të lidhet me narrativa shumë më të mëdha gjeopolitike”, tha ajo.
Projekti i Zvërnecit është një nga investimet më të diskutuara në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama e ka paraqitur atë si një projekt që mund të shndërrohet në një model suksesi për turizmin shqiptar, ndërsa investimi ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare për shkak të përfshirjes së Jared Kushner dhe Ivanka Trump.
Narrativat që lidhin projektin me Izraelin nuk po qarkullojnë vetëm në Shqipëri. Monitorimi i postimeve të shpërndara në rrjetet sociale tregon se debati për Zvërnecin ka gjetur jehonë edhe jashtë vendit. Analiza e postimeve të shpërndara në Shqipëri dhe jashtë saj tregon se narrativa për Zvërnecin nuk ndërtohet vetëm rreth projektit turistik. Në shumë raste, investimi paraqitet si pjesë e një historie më të gjerë që lidhet me Izraelin, Jared Kushner, origjinën e tij izraelite, konfliktin në Lindjen e Mesme, identitetin fetar të shqiptarëve apo pretendime për ndryshime demografike në të ardhmen. Kjo bën që debati të largohet gradualisht nga pyetjet konkrete mbi mjedisin, pronën dhe transparencën, duke u zhvendosur drejt simbolikave dhe konflikteve që shtrihen përtej vetë Zvërnecit.
Sipas ekspertes kur një debat lokal filtrohet përmes lenteve të një konflikti global, ekziston rreziku që publiku të largohet nga diskutimi mbi faktet dhe të polarizohet rreth identiteteve apo pozicioneve ideologjike.
“Kjo mund të krijojë perceptime që nuk bazohen domosdoshmërisht në provat e disponueshme për rastin konkret. Për më tepër, imazhi i vendit apo i komunitetit ku zhvillohet debati mund të ndërtohet mbi narrativa të importuara nga konflikte të tjera, duke e bërë më të vështirë zhvillimin e një diskutimi të informuar dhe të bazuar në evidencë”, tha Inva Hasanaliaj.
Organizatat mjedisore dhe banorë të zonës kanë ngritur shqetësime për ndikimin e projektit në një zonë me rëndësi të veçantë natyrore, si dhe për çështje që lidhen me transparencën dhe pronësinë. Megjithatë, analiza e përmbajtjeve që qarkullojnë në rrjetet sociale tregon se një pjesë e debatit po largohet nga këto çështje konkrete. Narrativat që qarkullojnë në internet nuk kufizohen vetëm te Izraeli. Në disa raste, debati për projektin shoqërohet edhe me pretendime për ndërhyrje të aktorëve të huaj, “sulme hibride” apo përpjekje për të sabotuar investimin. Megjithatë, pjesa më e madhe e përmbajtjeve lidhen me Izraelin, konfliktin në Lindjen e Mesme dhe pretendimet për vendosjen e kolonëve izraelitë në Shqipëri.
Një shembull tjetër i mënyrës se si debati po zhvillohet në rrjetet sociale lidhet me përdorimin e materialeve jashtë kontekstit. Në një postim në rrjetin social Facebook më 2 qershor, eksperti i sigurisë Ervin Karamuço shkroi se një deklaratë e tij për një protestë të mëparshme ishte ripërdorur për çështjen e Zvërnecit shoqëruar me një titull tjetër. Sipas tij, kjo krijonte përshtypjen e gabuar se deklarata lidhej me zhvillimet rreth projektit, çka ai e cilësoi si pjesë të “sulmeve hibride” në rrjetet sociale që sapo kishin nisur.
Rastet e përdorimit të materialeve jashtë kontekstit konsiderohen ndër format më të zakonshme të keqinformimit në rrjetet sociale.
“Materialet jashtë kontekstit janë ndër mekanizmat më të zakonshëm të dezinformimit. Video të vjetra, fotografi nga vende të tjera, meme ose pamje pa lidhje direkte me ngjarjen mund të krijojnë një perceptim të rremë, edhe kur nuk përmbajnë informacion tërësisht të pavërtetë”, tha Hasanaliaj.
Sipas saj, edhe kur materiali nuk është domosdoshmërisht i rremë, përdorimi i tij në një kontekst të gabuar mund të krijojë një histori që nuk përputhet me realitetin.
Nga videot e gjeneruara me inteligjencë artificiale te pretendimet për kolonë izraelitë, materialet e nxjerra jashtë kontekstit dhe teoritë mbi faktorë të huaj, debati për Zvërnecin po shoqërohet nga një valë narrativash që shpesh lënë në hije pyetjet themelore mbi projektin. Edhe në mbrojtjen publike që i bëri investimit më 1 qershor nga salla e Kryesisë së Kuvendit, Kryeministri Edi Rama e orientoi debatin te prona private dhe teoritë konspirative që sipas tij shoqërojnë projektin, ndërsa një pjesë e pyetjeve mbi vetë investimin mbeten ende objekt debati publik.
Edhe në mbrojtjen publike që i bëri investimit më 1 qershor nga salla e Kryesisë së Kuvendit, Kryeministri Edi Rama e orientoi debatin te prona private dhe teoritë konspirative që sipas tij shoqërojnë projektin, ndërsa një pjesë e pyetjeve mbi vetë investimin mbeten ende objekt debati publik.
Një tjetër shtresë e debatit lidhet me identitetin kombëtar dhe fetar. Në një postim të publikuar më 31 maj nga llogaria në Instagram “Kopshti_i_xhenetit “, projekti në Zvërnec krahasohet me konfliktin izraelito-palestinez përmes një fotomontazhi ku flamujt shqiptarë dhe izraelitë vendosen përballë njëri-tjetrit, ndërsa shfaqet mesazhi se “Izraeli tani bën kufi edhe me Shqipërinë”. Teksti shoqërues i referohet mbrojtjes së “tokave shqiptare” dhe përmend shqiptarët “myslimanë e katolikë”, duke e paraqitur projektin jo si një debat mbi mjedisin, pronësinë apo investimin, por si një çështje që lidhet me identitetin kombëtar, fetar dhe kulturor të vendit.
Këtyre narrativave u shtohen edhe pretendimet për ardhjen e protestuesve me autobusë nga Greqia për të marrë pjesë në kundërshtimin e projektit. Një nga rastet më të përhapura ishte një fotografi e paraqitur në rrjetet sociale si provë se autobusë me protestues grekë po hynin në Shqipëri për protestën e 1 qershorit. Më vonë, verifikimi i kryer nga Faktoje konstatoi se imazhi ishte krijuar me inteligjencë artificiale, duke treguar se edhe përmbajtjet e manipuluara po bëhen pjesë e debatit online rreth Zvërnecit.
Për Hasanaliajn, në debate të tilla sfida kryesore mbetet dallimi mes fakteve të verifikueshme dhe narrativave që ndërtohen rreth tyre.
“Nga këndvështrimi i gazetarisë së verifikimit të fakteve, elementi më i rëndësishëm mbetet dallimi mes asaj që mund të provohet me dokumente, burime dhe evidenca të verifikueshme, dhe asaj që mbetet interpretim, opinion apo narrativë politike. Në raste të tilla, transparenca mbi burimet dhe verifikimi i materialeve që qarkullojnë në rrjet janë thelbësore për të kuptuar realisht se çfarë po ndodh”, tha ajo.
Ndërsa në internet vazhdojnë të qarkullojnë pretendime për Izraelin, kolonët, faktorë të huaj dhe skenarë të tjerë që shkojnë përtej vetë investimit, kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec mbeten të lidhura me ndikimin në mjedis, transparencën e procedurave dhe çështjet e pronësisë. Protestat e banorëve vijojnë, ndërsa Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kërkuar hetim të plotë për incidentet e regjistruara gjatë protestës së 30 majit.
Në të njëjtën kohë, Kryeministri Edi Rama vazhdon ta mbrojë projektin si një investim strategjik për turizmin shqiptar. Mes zhvillimeve në terren dhe zhurmës që e shoqëron në rrjetet sociale, rasti i Zvërnecit tregon se si një çështje lokale mund të shndërrohet në një debat shumë më të gjerë, ku shpeshherë vëmendja largohet nga faktet që e kanë nxitur atë.
Nga Amfora.al

