Premtimi për vënien në funksion të pikës kufitare të Zogajve gjatë sezonit turistik ende nuk është konkretizuar.
Në aksin që lidh Zogajt me zonën e Krajës, kalimi vijon të jetë i pamundur. Në vend të një pike kufitare funksionale, në rrugë janë vendosur blloqe betoni që ndalojnë automjetet të vijojnë lëvizjen.
Situata është hasur edhe nga disa emigrantë shkodranë, të cilët kishin planifikuar të vizitonin Zogajt dhe më pas Krajën, por janë detyruar të kthehen pasi kanë gjetur rrugën të bllokuar.
Hapja e pikës kufitare ishte paralajmëruar për sezonin turistik nga zv.kryeministrja Belinda Balluku Koçiu, me synimin për të lehtësuar lëvizjen mes dy zonave dhe për t’i dhënë një shtysë më të madhe turizmit.
Por në terren, në kulmin e sezonit veror, realiteti është ndryshe. Rruga vijon të jetë e bllokuar dhe pika kufitare e Zogajve nuk është ende funksionale.
Për banorët, shkodranët dhe emigrantët që synojnë të kalojnë drejt Krajës, premtimi për hapjen e doganës mbetet ende i parealizuar.

