Vatra e zjarrit në zonën Gojan–Gjegjan, në Bashkinë Pukë, vijon të jetë aktive, ndonëse me intensitet më të ulët. Forcat zjarrfikëse, ato të ushtrisë dhe strukturat e tjera të angazhuara kanë vijuar punën edhe gjatë natës për të frenuar përhapjen e flakëve.
Në Gojan të Madh situata paraqitet më e qetë. Ndërhyrja ka vijuar në zonat ku është i mundur aksesi i mjeteve zjarrfikëse, ndërsa në pjesën e sipërme të fshatit, në zonën e Meshurdhit, vatra është izoluar plotësisht.
Më problematike mbetet situata në Gojan të Vogël, për shkak të afërsisë së zjarrit me zonën e banuar. Terreni i vështirë dhe mungesa e aksesit rrugor kufizojnë ndërhyrjen nga toka, ndaj në këtë vatër po operohet nga ajri me dy helikopterë.
Ndërkohë, edhe vatra mbi Gjegjan vijon të përparojë, por aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat. Forcat operacionale po punojnë në terren, ndërsa efektivët e MZSH-së dhe mjetet zjarrfikëse janë përqendruar kryesisht pranë zonave të banuara.
Në operacion janë të angazhuar 40 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe mjete e efektivë zjarrfikës nga RKV, MZSH Fushë-Arrëz, Shkodër, Kamëz, Has dhe Kukës.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe strukturat vendore e qendrore, vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin e operacionit për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.

