Gjashtë persona janë ndaluar nga autoritetet franceze në kuadër të hetimit për zjarret që kanë përfshirë pyllin e Fontainebleau, një nga zonat natyrore më të njohura pranë Parisit dhe dikur pyll mbretëror. Mes të ndaluarve ndodhet edhe një zjarrfikës vullnetar, i cili ka pranuar përfshirjen në një prej vatrave të zjarrit, njoftoi zyra e prokurorit.
Sipas prokurores së Fontainebleau, Diane Ngomsik, zjarrfikësi vullnetar ka deklaruar se “i kishte vënë zjarrin shkurreve duke përdorur benzinë dhe një çakmak”.
Një tjetër i dyshuar ka pranuar se kishte shkaktuar një zjarr në mënyrë aksidentale, pasi kishte hedhur një cigare në një zonë tjetër, duke shkaktuar një vatër të re zjarri. “Një i dyshuar tjetër pranoi se i kishte vënë zjarrin aksidentalisht duke hedhur një cigare, në një vend tjetër nga ku nisi një shpërthim i dytë”, tha prokurorja Ngomsik.
Sipas të dhënave më të fundit nga autoritetet lokale, zjarret kanë shkatërruar më shumë se 20 mijë hektarë pyll, duke shkaktuar dëme të mëdha në një nga zonat e gjelbra më të rëndësishme të rajonit të Parisit. Pylli i Fontainebleau, i njohur për biodiversitetin, peizazhet natyrore dhe lidhjen historike me monarkinë franceze, konsiderohet një nga hapësirat më të rëndësishme natyrore për banorët e kryeqytetit francez.

