Rasti Lindsay Clancy/ Prokuroria kërkon rigjykimin e nënës që vrau tre fëmijët e saj, kur pritet vendimi përfundimtar

Publikuar me datë:

Prokuroria e Massachusetts ka dhënë sinjale të forta për qëllimin e saj për të rigjykuar Lindsay Clancy, e cila akuzohet për vrasjen e tre fëmijëve të saj në vitin 2023. Seanca e mbajtur të hënën solli zhvillime të reja në këtë çështje, ndërsa gjykata ka caktuar 16 nëntorin si datën kur do të shqyrtohen një sërë mocionesh që mund të ndikojnë rrjedhën e procesit të ardhshëm gjyqësor.

Gjyqtari Uilliam Sullivan pritet të vendosë për disa kërkesa të depozituara nga të dyja palët, përfshirë edhe mocionin e mbrojtjes për të rrëzuar akuzat për vrasje të shkallës së parë. Në rast se do të autorizohet një rigjykim, ai mund të mbahet në mars të vitit 2027.

Gjatë verës, Clancy iu nënshtrua një procesi gjyqësor disa-javor, por në shtator gjyqi dështoi të prodhonte një vendim, pasi 12 juristët nuk dolën në një përfundim të përbashkët. Ky ngërç lidhej kryesisht me pretendimin e avokatëve të Clancy-t se në momentet kritike ajo ishte në një gjendje psikike që e bënte të papërgjegjshme juridikisht.

Avokati mbrojtës, Kevin Reddington, kërkoi që procesi i ri të nisë sa më parë, duke kërkuar që çështja të hynte në gjykim që në pranverë. Ai theksoi kundërshtimin ndaj faktit që klientja e tij të mbetet në burg për periudha të zgjatura pa përfunduar procesi gjyqësor.

Ndërkohë, prokurorja Jennifer Sprague deklaroi se do të pritet vendimi i gjyqtarit për mocionet përpara se të përcaktohet hapi i ardhshëm nga prokuroria. Ajo përmendi mundësinë e një rigjykimi, por nuk sqaroi nëse Clancy do të përballet me të njëjtat akuza ose nëse ato do të ndryshojnë.

Clancy akuzohet për tre vrasje të shkallës së parë, të cilat përfshijnë vrasje të qëllimshme dhe të paramenduara. Gjithsesi, prokuroria mund të vendosë të kërkojë dënim për një vepër më të lehtë, si vrasja e shkallës së dytë, që nënkupton vrasje të kryera me keqdashje ose pakujdesi ekstreme, por pa paramendim paraprak.

Në seancën e së hënës u diskutua edhe rreth veprimeve të një anëtari të jurisë, të quajtur “Juror Doe”, i cili kishte mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga pjesa tjetër e trupit gjykues. Sipas debatit në sallë, shumica e jurisë ishte e prirë të shpallte Clancy-n të pafajshme për shkak të gjendjes së saj mendore, por kundërshtimi i këtij anëtari solli bllokimin e jurisë dhe deklarimin e procesit si i pavlefshëm.

Mbrojtja kërkoi gjithashtu sigurimin e disa provave, përfshirë telefonin dhe të dhënat telefonike të këtij anëtari të jurisë, ndërsa avokatja e tij kundërshtoi pohimet e paraqitura nga pala mbrojtëse e Clancy-t.

Clancy nuk e kundërshton faktin që ka vrarë tre fëmijët, por mbrojtja këmbëngul se ajo vuante nga psikozë e rëndë pas lindjes në atë kohë. Prokuroria, përkundrazi, pretendon se vrasjet janë kryer me dashje.

Prokurori i distriktit, Timothy Cruz, ende nuk ka bërë të ditur nëse do të ketë një rigjykim, as nuk ka informuar për hapat që do të ndërmerren më tej. Vendimi që do të merret më 16 nëntor pritet të jetë vendimtar për rrjedhën e mëtejshme të kësaj çështjeje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related