Zjarret e përhapura që kanë përfshirë perëndimin e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadanë kanë çuar komunitetet në një gjendje gatishmërie të lartë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se urdhra të reja për evakuim mund të jepen së shpejti, raporton aol.com.
Ndërkohë, mijëra qytetarë që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre presin me shqetësim lajme lidhur me çfarë ka mbetur prej pasurisë së tyre.
Në pjesën perëndimore të Kanadasë, mbi 20 mijë persona u detyruan të largonin banesat përgjatë liqenit Okanagan në British Columbia gjatë fundjavës.
Në këtë rajon, një zjarr i furishëm ka përfshirë zona të tëra, ka shkatërruar shtëpi dhe ka bërë që dhjetëra banorë të evakuohen me ndihmën e helikopterëve.
Përveç urdhrave të evakuimit në Summerland, zjarrfikësit janë përballur edhe me zjarrin Bald Range, i cili u raportua fillimisht të premten në mbrëmje dhe ka detyruar largimin e banorëve edhe nga zona të tjera.
Zjarret në SHBA
Edhe në Shtetet e Bashkuara, banorëve në zona në veri të qytetit Spokane në shtetin Washington iu kërkua të dielën që të largohen nga shtëpitë e tyre.
Fshatrat rurale Malden dhe Rosalia, të cilat ndodhen rreth 55 kilometra në jug të Spokane, panë një ulje të nivelit të evakuimit të dielën, pas urdhrit të një dite më parë për largim, pasi dy zjarre ishin shpërndarë pranë tyre. Megjithatë, autoritetet mbeten në gjendje alarmi.
Malden, në vitin 2020, u përball me shkatërrimin pothuajse të plotë nga një zjarr i madh, duke humbur ndërtesa si stacioni i zjarrfikësve, zyra postare, bashkia dhe biblioteka.
Dy pilotë humbin jetën në Utah
Dy pilotë të një helikopteri në Utah ndërruan jetë të premten në mëngjes, teksa po përpiqeshin të ndalonin një zjarr në pyllin kombëtar Fishlake.
Ekipet e shpëtimit arritën në vendngjarje ditën e shtunë dhe konfirmuan vdekjen e tyre.
Zyrtarët sqaruan të dielën se intensiteti i flakëve kishte penguar ndërhyrjen më të shpejtë në një terren të vështirë dhe të pjerrët.
“Kur mbërritëm për herë të parë, mund të shihnim dy kolona të ndryshme tymi: njëra nga vendi i rrëzimit dhe tjetra nga një zjarr aktiv që po afrohej drejt nesh”, tha Nathan Curtis, sherifi i qarkut Sevier.
British Columbia shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Qeveria e British Columbia shpalli të shtunën gjendjen e jashtëzakonshme, pasi mijëra banorë të provincës perëndimore të Kanadasë u detyruan të evakuohen për shkak të përhapjes së shpejtë të një zjarri që pothuajse u dyfishua në madhësi brenda një nate.
Zjarri Bald Range, i cili ndodhet jashtë kontrollit, është zgjeruar me shpejtësi dhe mbulon tani rreth 9,500 hektarë, që përkthehet në rreth 23,500 akra.
Kjo situatë ka çuar në dhënien e urdhrave për evakuim në Summerland, Peachland dhe zona të tjera në perëndim të liqenit Okanagan, në jug të brendshëm të provincës.
Kjo zonë është e njohur si prodhuesi kryesor i verës në British Columbia dhe përbën rajonin e dytë më të madh të prodhimit të verës në Kanada.
Kryeministri provincial, David Eby, deklaroi të shtunën se një zyrtar zjarrfikës e kishte përshkruar zjarrin si “një bombë që shpërthen”.
“Shtëpi janë humbur dhe prona janë shkatërruar. Disa njerëz mbetën të bllokuar pasi kushtet ndryshuan shumë shpejt dhe u desh të shpëtoheshin”, shtoi kryeministri.
Ai vuri në dukje se situata është ende shumë e luhatshme dhe vazhdon të jetë kërcënuese.
Sipas regjistrimit të vitit 2021, Summerland ka rreth 12 mijë banorë, ndërsa Peachland rreth 6,500.
Gjendja e jashtëzakonshme i jep autoriteteve provinciale të drejta të veçanta, duke përfshirë kufizimin e udhëtimeve, mbrojtjen e furnizimeve kundër abuzimit me çmimet dhe mjete të posaçme për të lehtësuar operacionet e shpëtimit.

