Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra të gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, të cilët kanë qenë në detyrë në periudhën kur në Qeparo, Himarë, u ndërtua pa leje një objekt pesëkatësh.
Masa vjen në kuadër të hetimeve dhe ndërhyrjeve për ndërtime të paligjshme, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka pezulluar menjëherë nga detyra katër efektivë të Policisë. Konkretisht, bëhet fjalë për:
-
Nënkomisar F. M., ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, tani Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;
-
Komisar E. P., ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht mban të njëjtën detyrë në Komisariatin e Policisë Divjakë;
-
Nënkomisar K. P., ish-Specialist për Hetimin e Krimit, Zona Policore nr. 1, tani Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;
-
Inspektor R. Ç., me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ në Zonën Policore nr. 1 të Komisariatit të Policisë Himarë, në zonën ku u evidentua ndërtimi pa leje.
Pezullimi i menjëhershëm dhe nisja e hetimit disiplinor erdhën pasi në “Sugë”, Qeparo, Himarë, u evidentua se shtetasi L. B., me banim në Laç, kishte ndërtuar pa leje një objekt me kat nëntokë dhe katër kate të tjera mbi tokë.
Ky shtetas u arrestua një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Himarë. Ndërkohë, tre punonjës të IMT-së Himarë – konkretisht kryeinspektori dhe dy inspektorë – janë shpallur në kërkim, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Verifikimet paraprake kanë treguar se ndërtimi kishte nisur në dhjetor 2025 dhe strukturat e Komisariatit të Policisë Himarë nuk kishin ndërmarrë masa për të parandaluar ndërtimin apo për të vendosur përpara ligjit shtetasin përgjegjës.
Policia e Shtetit nënvizon vendosmërinë për të ndëshkuar dhe larguar nga radhët e saj çdo punonjës që nuk respekton ligjin, nuk kryen detyrën, abuzon me kompetencat apo minon besimin e qytetarëve.

