Global Sumud Flotilla pritet të mbërrijë në Shqipëri më 20 gusht, në mbështetje të “Revolucionit të Flamingove” kundër projektit për zhvillimin turistik të ishullit të Sazanit.
Sipas një njoftimi të publikuar nga “Italia Global Sumud”, aktivistët do të nisen nga Brindisi drejt Sazanit, së bashku me përfaqësues të lëvizjes Global Sumud, “Mesdhe, Palestinë e Lirë” dhe diasporës shqiptare.
Në reagim, Sazani përshkruhet si një ishull me pasuri të rralla natyrore dhe biodiversitet, pranë lagunës së mbrojtur të Vjosë-Nartës. Aktivistët kundërshtojnë projektin për ndërtimin e një resorti luksoz me vlerë rreth 1.4 miliardë dollarë dhe e lidhin atë me zhvillime të ngjashme turistike të diskutueshme në vende të tjera.
“Non è una coincidenza, è un metodo”, shkruhet në reagim, duke e cilësuar këtë model si një formë të re kolonializmi të kamufluar pas turizmit dhe “zhvillimit”.
Aktivistët italianë deklarojnë se duan t’i bashkohen protestës së nisur në Shqipëri më 16 maj, të njohur si “Revolucioni i Flamingove”.
“Sepse një ishull nuk është në shitje. Sepse toka duhet t’u rikthehet atyre që e jetojnë”, thuhet në mesazhin e tyre.
Mbërritja e Global Sumud Flotilla në Sazan pritet të sjellë një tjetër dimension ndërkombëtar në debatin për të ardhmen e ishullit dhe projektin e zhvillimit turistik.


