Një vatër e madhe zjarri ka përfshirë pasditen e sotme një zonë në qytetin e Koplikut, duke rrezikuar banesat në lagjen e re, mbi zonën e Restorant “Vëllezërit Dushkaj”.
Për shuarjen dhe lokalizimin e flakëve janë angazhuar katër mjete zjarrfikëse. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit, duke e bërë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse më të vështirë.
Në krye të operacionit ka qenë komandanti i repartit zjarrfikës, Besnik Hasa, ndërsa në terren ka qenë edhe nënprefekti Hysen Hysaj.
Pas rreth një ore përballje me flakët, zjarrfikësit kanë arritur të neutralizojnë rrezikun dhe të shmangin përhapjen e zjarrit drejt banesave.
Situata e zjarreve mbetet shqetësuese në Malësinë e Madhe, ku gjatë ditëve të fundit janë raportuar disa vatra zjarri në zona të ndryshme.
Forcat zjarrfikëse vijojnë të jenë në gatishmëri dhe po ndërhyjnë në zonat ku flakët kërcënojnë banesa dhe prona.

