Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mori pjesë në samitin e G7, ku pati një bisedë të shkurtër me presidentin amerikan Donald Trump. Fotografitë e publikuara nga presidenca ukrainase tregojnë dy liderët të ulur ngjitur në tryezën e samitit, ndërsa në një tjetër skenë shfaqet edhe Marco Rubio.
Kjo ngjarje përbën një nga kontaktet e pakta personale mes Zelenskyt dhe Trump, pas tensioneve që karakterizuan marrëdhëniet e tyre gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë në shkurt të vitit 2025.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelensky e përshkroi diskutimin me liderët e G7 si konstruktiv dhe shprehu mirënjohjen për mbështetje dhe propozime konkrete që synojnë të ushtrojnë presion mbi Rusinë për të pranuar paqen.
“Prioritetet janë të qarta: kërkojmë më shumë raketat për mbrojtjen ajrore, licenca për prodhimin e tyre, një paketë mbështetjeje për dimrin dhe rritje të presionit ndaj Rusisë. Është thelbësore që Shtetet e Bashkuara të jenë të gatshme të mbështesin këto iniciativa,” theksoi Zelensky.
Presidenti ukrainas theksoi se zbatimi i masave të diskutuar është esencial për sigurinë e Ukrainës dhe për përpjekjet ndërkombëtare që synojnë t’i japin fund konfliktit. Ai shtoi gjithashtu se Rusia duhet të kuptojë se agresioni i saj nuk do të pranohet kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
Ky takim në kuadër të samitit të G7 vjen në një periudhë kritike për Ukrainën, e cila vazhdon të kërkojë mbështetje ushtarake dhe ekonomike nga aleatët perëndimorë përballë agresionit rus.

