Një stuhi e shoqëruar nga reshje intensive ka goditur qytetin e Elbasanit dhe zona të tjera të qarkut, duke sjellë përmbytje të konsiderueshme dhe pengesa në lëvizjen rrugore.
Probleme janë shënuar edhe në disa prej rrugëve kombëtare që lidhin Elbasanin me qytetet e tjera. Në disa segmente rrugore, uji i rrëmbyeshëm dhe mbetjet e transportuara nga rrymat kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin, duke shtuar rrezikun për automjetet që qarkullojnë aty.
Ndërkohë, autoritetet dhe strukturat përkatëse vijojnë të ndjekin nga afër zhvillimet në terren. Qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve u kërkohet të kenë vëmendje të shtuar dhe të evitojnë segmentet problematike deri në përmirësimin e situatës.

