Policia ka shpallur në kërkim 40-vjeçarin Meardi Berberi dhe vëllain e Nikollës, 22-vjeçarin Edison Agolli. Meardi Berberi është një personazh në Pogradec me precedent të theksuar kriminal. Sipas informacioneve, ai është dënuar për vepra të ndryshme si ‘armëmbajtje pa leje’, ‘plagosje e rëndë me dashje’, ‘kanosje’ etj., ndërsa është konsideruar si një nga organizatorët e sulmit në Volorekë në vitin 2020.
Lidhur me rrethanat e ngjarjes, mësohet se autori Nikolla Agolli dyshohet të ketë qenë në një mjet me të arrestuarin tjetër, David Prifti, dhe dy të shpallurit në kërkim, Meardi Berberi dhe Edison Agolli.
I plagosuri Brian Syzo ka qenë i parkuar në anë të rrugës së bashku me një shokun e tij (të dy me mjetet e tyre). Shoku i Brianit ka dalë nga makina e tij për të hipur në makinën e Brianit, ndërsa në këtë moment është afruar makina ku ndodhej autori me tre personat e tjerë. Autori ka thyer xhamin e makinës së shokut të Brianit dhe ky ka qenë momenti kur Brian Syzo ka dalë nga makina dhe më pas u qëllua nga Nikolla disa herë. Syzo u transportua drejt spitalit nga shoku i tij. Ai ka marrë dy plumba, nga një në secilën këmbë, ndërsa aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, ku po merr ndihmën mjekësore. Sipas informacioneve nga bluzat e bardha, të dyja këmbët i janë hedhur në allçi, por ende nuk është vendosur se çfarë masash do të merren më tej, pasi i është prekur një nga venat kryesore, çka mund të rrezikojë amputimin e gjymtyrës.
Pas plagosjes së Brianit, autori dhe tre bashkëpunëtorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja, duke lënë fillimisht mjetin e tyre në Qafë Thanë e më pas janë shpërndarë. Nikolla Agolli u kap disa minuta pas ngjarjes në një furgon në Prrenjas. Pas tij u kap edhe shtetasi tjetër, David Prifti.
Qëllimi i autorit ka qenë vrasja e Syzos për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes të dyja palëve. Ngjarja është ende në hetim.

