Vllaznia U14 është rikthyer tek fitorja në kampionat teksa pasditen e sotme ka fituar me rezultatin 3-1 ndaj Elbasanit në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”. Një dominim i djemve të drejtuar nga Ndriçim Shtubina të cilët janë ende në lojë për titullin kampion një javë para fundit të kampionat.
Ndeshja e sotme ishte vlerësuar maksimalisht nga të dy ekipet ngaqë ato ishin rivalë dhe pretendentë ndërkohë që edhe FSHF e vlerësoi maksimalisht duke caktuar një treshe arbitrash të Superiores për ta drejtuar atë, me kryesor Ditmir Grimcin dhe anësorë Ardit Çobajn dhe Sajmir Hysenin.
Kuqeblutë e kanë nisur me vrull ndeshjen dhe në pjesën e parë kanë arritur të shënojnë dy gola, fillimisht me Skerdi Skyferaj dhe më pas me Sergen Jakupin. Në këtë mënyrë pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin 2-0 në favor të Vllaznia U14.
Në të dytën Elbasani hidhet në sulm dhe arrin të ngushtojë shifrat me një gol të shënuar nga Sinani, i cili shfrytëzoi një pasiguri të mbrojtjes dhe portierit vendas. Madje, miqtë ishin edhe pranë golit të barazimit. Nga ana tjetër një supergol i shënuar nga Umer Guri për Vllazninë mbyll gjithçka në shifrart 3-1 për të.
Një javë para mbylljes së kampionatit, Vllaznia U14 sëbashku me Tiranën, Partizanin dhe Elbasanin kryesojnë sëbashku renditjen e kampionatit me nga 27 pikë secila dhe titulli kampion do të vendoset javën e ardhshme e cila është e fundit e kampionatit. Vllaznia do të luajë në Laç, Tirana do të presë Apollo 2016 ndërsa Elbasani do të presë Partizanin.
Nga Gazeta Sport

