Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Qendra e Botimeve për Diasporën kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me synim forcimin e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë, përgatitjen profesionale të mësuesve dhe certifikimin e kompetencave gjuhësore.
Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të konferencës shkencore “Shqipja në diasporë: standardizimi i mësimdhënies, formimi profesional i mësuesve dhe certifikimi i kompetencave gjuhësore”, e organizuar më 17 nëntor 2026 në Shkodër.
Në fjalën e saj përshëndetëse, rektorja e Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Blerta Dragusha, vlerësoi rëndësinë e kësaj nisme për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e rinj që jetojnë jashtë vendit, duke theksuar rolin e institucionit në forcimin e bashkëpunimit akademik.
Konferenca bëri bashkë studiues dhe mësimdhënës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare. Në fokus të diskutimeve ishin modelet e mësimdhënies së shqipes në mjedise shumëgjuhëshe, formimi i mësuesve, roli i familjes dhe shkollës në ruajtjen e gjuhës, si dhe vlerësimi i njohurive gjuhësore të nxënësve.
Përmes kumtesave dhe diskutimeve në katër panele u ndanë përvoja dhe praktika nga vende të ndryshme, me synimin për të kontribuar në përmirësimin e mësimit të gjuhës shqipe jashtë kufijve të Shqipërisë.
