Ikballe Huduti ka reaguar publikisht pas shpalljes nga autoritetet shqiptare si person të padëshiruar në Shqipëri, duke argumentuar se prania e saj paraqet një rrezik për sigurinë kombëtare.
Me një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar kryeministrit Edi Rama, Huduti ka sqaruar pozitat e saj, duke theksuar se angazhimi i saj në protesta ka ardhur si pasojë e padrejtësive që prekin popullin shqiptar.
Ajo ka theksuar se ajo përfaqëson një kauzë të rëndësishme për mbrojtjen e interesit publik, duke nënvizuar se çdo qytetar ka të drejtën legjitime për të shprehur shqetësimet e tij.
“Unë jam shqiptare dhe ndihem përgjegjëse për fatin e kombit tim. Nuk mund të fle e qetë kur shoh probleme që prekin shoqërinë tonë. Besoj se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët.”, ka thënë ndër të tjera Huduti në reagimin e saj.
Postimi i plotë:
I nderuar Kryeministër Edi Rama.
Motivimi im për të protestuar është i lidhur me ndjenja patriotike dhe qytetare, jo përfitime personale. Si bijë e një familjeje shqiptare, kam përjetuar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi. Prandaj, nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim.
Pavarësisht se një ditë mund të mos jem fizikisht, zëri im do të vazhdojë të mbetet në shërbim të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Unë protestoj jo nga urrejtja, por nga dashuria për popullin tim dhe bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur interesi publik është nën kërcënim.
Ju bëj thirrje juve dhe çdo udhëheqësi ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian, të dëgjoni zërat e qytetarëve të revoltuar. Historia ka vërtetuar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i popullit të ndërgjegjësuar. Besoj se dialogu, drejtësia dhe respekti për qytetarët janë mënyrat më të mira për të shmangur përçarjet dhe konfliktet.
Zoti është dëshmitar i veprave tona. Pozitat janë një amanet dhe përgjegjësi. Kur pushteti ushtrohet me drejtësi, ai kthehet në bekim; kur keqpërdoret, bëhet një barrë për atë që e mban.
Unë jam shqiptare dhe ndihem përgjegjëse për fatin e kombit tim. Njëjtë siç theksova, nuk mund të fle e qetë kur shoh probleme në shoqërinë tonë. Besoj se njeriu vlen sa më shumë që shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe sa më shumë përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët.
Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Po kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë.
As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë.
Me respekt: Ikballe Berisha Huduti

