Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim në platformën “X” pas një incidenti të ndodhur në New York, ku gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përball me protestues shqiptarë të cilët hodhën vezë në drejtim të tij.
Me një ton të fortë, Rama iu drejtua protestuesve, duke theksuar se veprime të tilla nuk do ta ndalin në qëllimet e tij politike. Ai deklaroi se nuk do të tërhiqet përpara protestave dhe kritikave, duke i konsideruar këto një pengesë që lidhen me përpjekjet për integrimin europian të Shqipërisë. Kryeministri shtoi gjithashtu se progresi i vendit kundër korrupsionit dhe suksesi i reformës në drejtësi janë tregues të ndryshimeve që, sipas tij, ka pësuar Shqipëria krahasuar me të shkuarën.
Në mbyllje të qëndrimit të tij publik, Rama përsëriti tone ironizuese ndaj protestuesve dhe kundërshtarëve, duke përdorur termat “pula histerike të katundit tonë” dhe duke i akuzuar se veprojnë “për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik”.
“Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës. Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni!
Dhe le ta dëgjojnë e ta mbajnë mirë vath në vesh meqë kujtojnë se mposhtem unë dot me “bombat çudibërëse” që amplifikojnë në kupë të qiellit ditë e natë fjalën korrupsion:
Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!
Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë, ndërkohë që pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik, të cilët i gënjen mendja sa një vezë, se do të më ndalin mua me llogjet e pafundme për korrupsionin që po luftohet nga vetë sistemi që po ndërtojmë, apo me sharjet e mallkimet folklorike si të këtij sqepit bashkëngjitur, që e shkruan shqipen me këmbët e pulës”

