Turistët e huaj vijojnë të frekuentojnë Alpet edhe në tetor, problem mbeturinat

Publikuar me datë:

Pavarësisht se është muaji tetor, Thethi vazhdon të tërheqë numër të madh vizitorësh dhe mbetet një nga pikat më të njohura turistike në veri të Shqipërisë. Bujtinat dhe rrugicat malore të këtij fshati janë ende të mbushura me turistë të ardhur nga vende të ndryshme, duke treguar se interesi për Alpet shqiptare nuk kufizohet vetëm me sezonin veror.

Në mesin e numrit të madh të vizitorëve gjatë kësaj periudhe spikasin edhe grupe turistësh nga Izraeli. Ata udhëtojnë shpesh në formacione të mëdha me makina, duke eksploruar jo vetëm Thethin, por dhe destinacione të tjera shqiptare. Njëri prej tyre, i cili ka vizituar disa herë Shqipërinë, vë në dukje peizazhet natyrore dhe zhvillimin e zonës, por thekson se infrastruktura dhe shërbimet kërkojnë ende më shumë investim.

“Vij nga Izraeli për të disatën herë në Theth. Udhëtojmë në grupe me makina dhe shëtisim të gjithë Shqipërinë. Ne e adhurojmë Shqipërinë, është shumë e bukur. Na pëlqen shumë, por do të duhet të ketë më shumë facilitete, si rrugë dhe shërbime. Por është shumë bukur këtu dhe po zhvillohet”, tha një turist nga Izraeli.

Për disa turistë të huaj, Thethi është një eksperiencë e re. Helena, e cila vjen nga Izraeli, rrëfen se natyra dhe mikpritja e komunitetit vendas janë ato që e kanë lënë më shumë përshtypje. Për të, pamja malore është unike dhe e dallueshme në krahasim me vende të tjera të botës ku ka udhëtuar.

“Jam Helena dhe vij nga Izraeli. Është hera e parë këtu dhe më pëlqen shumë, sidomos njerëzit janë shumë të dashur, mikpritës. Natyra këtu është diçka speciale dhe më pëlqen shumë. Kam udhëtuar në shumë vende të botës, por asnjë nuk është si këtu, sidomos malet. Zoti duket sikur i ka krijuar malet vetëm për ju”, u shpreh Helena nga Izraeli.

Turistët, përveçse vlerësojnë natyrën, nuk lënë pa përmendur edhe disa shqetësime që sipas tyre duhen adresuar. Një çift gjerman, të cilët vizitojnë Thethin për herë të parë dhe kanë parë edhe Syrin e Kaltër, sugjerojnë që të ketë më shumë vëmendje ndaj menaxhimit të mbeturinave.

“Është hera e parë që jemi këtu dhe vijmë nga Gjermania. Pamë Syrin e Kaltër, që është shumë i bukur. Kemi vizituar edhe jugun, por na u duk pak më shumë i zënë me njerëz. Çdo gjë është e bukur këtu, ndoshta duhet të bëjmë diçka më mirë me mbeturinat”, tha turisti.

Bashkëshortja e tij shton se ishte e kënaqur me përmirësimet në infrastrukturë që, sipas saj, ishin mbi pritshmëritë. Megjithatë, ajo thekson se problemi i mbetjeve është i pranishëm në disa pjesë të zonës.

“Para se të vija këtu dëgjova disa informacione se ishte nxehtë këtu dhe kishte vështirësi me rrugët, por doli pak më mirë se prisja, pasi disa rrugë ishin bërë të reja. Problemi është i nxehti. Natyra këtu është fantastike dhe më pëlqen shumë, por ka pak problem me mbeturinat që janë prezente kudo”, u shpreh ajo.

Temperaturat më të larta se zakonisht për këtë periudhë, së bashku me fluksin e vizitorëve, kanë bërë që Thethi të mbetet një destinacion i ngarkuar edhe gjatë vjeshtës. Peizazhi alpin dhe mikpritja e banorëve vazhdojnë të jenë faktorët kryesorë që tërheqin turistë ndërkombëtarë, ndërsa infrastruktura, niveli i shërbimeve dhe menaxhimi i mbetjeve mbeten sfida të vazhdueshme për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në këtë zonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Ksamil/ Motori del nga rruga, plagoset drejtuesi 28-vjeçar

Një aksident rrugor është shënuar në Ksamil, ku një...

“Tom & Jerry” vijnë në skenën e “Migjenit”, dy ditë të dedikuara për fëmijët

Teatri “Migjeni” në Shkodër sjell për publikun e vogël...

Shkodër/ “E turpshme” ajo që ndodh me Leshajn, largohet pas shkeljeve të KLSH nga bashkia dhe ngrihet në detyrë nga Benet Beci

Një lëvizje e Benet Becit në administratën e Shkodrës ngre pikëpyetje të forta për mënyrën se si janë trajtuar shkeljet e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Bëhet fjalë për Denis Leshajn, ish-Drejtorin e Përgjithshëm Juridik të Bashkisë Shkodër. Sipas raportimit, KLSH ka konstatuar shkelje në Bashkinë Shkodër gjatë vitit 2025, në kohën kur […]