Teatri “Migjeni” në Shkodër sjell për publikun e vogël një version teatror të personazheve të famshme Tom & Jerry. Shfaqja do të mbahet më 6 dhe 7 tetor, në orën 10:00, duke sjellë në skenë historinë e dy personazheve të njohur për breza të tërë.
Ndryshe nga versioni që fëmijët njohin nga ekrani, këtë herë Tomi dhe Xherri do të shfaqen përballë tyre në një interpretim live, me humor, ndjekje, aventura dhe situata plot ritëm.
Në rolet kryesore janë aktorët Aleksandër Kondi dhe Jaho Guma, të cilët do të rikrijojnë në skenë rivalitetin dhe përplasjet karakteristike të dy personazheve.
Për dy ditë, skena e “Migjenit” do t’u kushtohet vogëlushëve, me një shfaqje që synon të ndërthurë argëtimin me emocionin e teatrit dhe t’u japë fëmijëve mundësinë të shohin nga afër personazhet që zakonisht i ndjekin përmes ekranit.

