Tregtarët e tregut maqedonas në Korçë protestë para Bashkisë: Nuk përballojmë kostot e tendave të reja

Publikuar me datë:

Tregtarët e tregut maqedonas në Korçë kanë protestuar sot para Bashkisë së qytetit, duke kundërshtuar vendimin për vendosjen e tendave të reja uniforme në ambientet e pazarit.

Sipas tyre, vendimi është marrë pa konsultim paraprak dhe është shoqëruar me njoftime të papritura nga policia bashkiake për heqjen e tendave ekzistuese dhe zëvendësimin e tyre me struktura të reja me ngjyrë të kuqe, në kuadër të një projekti të Bashkisë.

Tregtarët shprehen se janë të paqartë mbi mënyrën e zbatimit të projektit dhe se urdhrat nga institucionet ndryshojnë vazhdimisht. Ata thonë se fillimisht u është kërkuar të mos ekspozojnë mallrat jashtë dyqaneve, duke i detyruar t’i fusin produktet brenda ambienteve të tyre.

Sipas tyre, situata ekonomike është e vështirë dhe kostot për vendosjen e tendave të reja janë të papërballueshme. Shumë tregtarë deklarojnë se mezi arrijnë të mbulojnë qiratë, taksat, sigurimet dhe shpenzimet mujore, ndërsa investimi për tendat e reja, sipas tyre, shkon deri në rreth 700 mijë lekë.

Ata kërkojnë që, nëse projekti është pjesë e një nisme për përmirësimin estetik të tregut, atëherë financimi të mbulohet nga Bashkia dhe jo nga vetë bizneset. Gjithashtu, tregtarët theksojnë se afati i vendosur për zbatimin e urdhrit, deri më 19 maj, është i pamundur për t’u realizuar në një kohë kaq të shkurtër.

Kjo nuk është hera e parë që tregtarët përballen me masa të tilla. Vetëm një muaj më parë ata protestuan për kufizimet në ekspozimin e mallrave jashtë dyqaneve, duke kërkuar më shumë fleksibilitet në ushtrimin e aktivitetit të tyre.

Tregtarët i kërkojnë Bashkisë së Korçës një takim urgjent për të sqaruar projektin dhe për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, duke theksuar se nuk janë kundër përmirësimit të tregut, por kundërshtojnë mënyrën dhe kostot e zbatimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Rama sulmon sërish protestuesit: Mendje të cekëta që po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave të...

Pas shembjes së objektit gjatë aksionit të Bashkisë Shkodër, Cliché nis protestën e heshtur

Biznesi Cliché ka njoftuar se do të pezullojë aktivitetin...

Emri/ Aksident në aksin Rrëshen-Reps, makina përplas kalimtarin

Një aksident i rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj...