Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur Kalabrinë, Itali.
Ornella Forastefano, 46 vjeçe, ka humbur jetën pasi dyshohet se është dhunuar dhe rrahur brutalisht. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës në Amendolara, në provincën e Kozencës, raporton për Syri, Alba Kepi.
Gruaja është dërguar në gjendje kritike në spitalin e Trebisacce, por është lënë jashtë hyrjes së spitalit. Mjekët e kanë gjetur dhe kanë ndërhyrë menjëherë, por gjendja e saj ka qenë tepër e rëndë. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, 46-vjeçarja ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Në fokusin e hetuesve është tashmë partneri i saj, një 42-vjeçar me shtetësi shqiptare, i cili aktualisht është shpallur në kërkim.
Karabinierët kanë nisur kërkimet për të dhe po përpiqen të zbardhin rrethanat e ngjarjes dhe çfarë ka ndodhur në orët para vdekjes së gruas.
Hetimet po zhvillohen nga Karabinierët e Cassano allo Ionio, nën koordinimin e Prokurorisë së Castrovillarit.

