Mjekja Amarda Cenko ka shprehur shqetësim lidhur me mungesën e barnave dhe fenomenin e largimit të mjekëve nga Shqipëria. Ajo rrëfeu se edhe vetë ka menduar disa herë të largohet jashtë vendit, por praninë në Shqipëri ia ka detyruar lidhjes me familjen. Gjatë një interviste, Cenko u ndal te protestat dhe theksoi se studentët po reagojnë përballë vështirësive të jetës së përditshme, duke përfshirë edhe problematikën në sistemin arsimor.
“Ka mungesë ilaçesh. Mjekët janë larguar. Kam pasur shumë herë plan të largohem, por më ka mbajtur këtu familja”, u shpreh ajo.
Cenko shprehu shqetësime për të ardhmen e shëndetësisë, duke nënvizuar se një pjesë e studentëve protestues të sotëm, në të ardhmen do të jenë mjekë, por jo të gjithë synojnë të mbeten në Shqipëri.
Ajo veçoi se të rinjtë janë duke artikuluar zërin për problemet që i prekin çdo ditë. Sipas Cenko-s, brezi aktual është i vetëdijshëm për sfidat dhe kërkesat që ka përballë.
“Të rinjtë dhe studentët ngrenë kokën për gjëra dhe pengesa që i prekin në përditshmëri. Një nga problemet është arsimi. Si nënë, mendoj sot që fëmijët e mi duhet të largohen nga vendi. Ky brez i ri i ka të qarta gjërat në kokë”, deklaroi Cenko.
Gjatë diskutimit, mjekja u ndal edhe te pasojat nga përdorimi i pajisjeve të ndërhyrjes policore në protestë. Për sa i përket gazit lotsjellës, Cenko shpjegoi se efektet e para shfaqen në sistemin e frymëmarrjes, ndërsa ngriti alarmin për dëmtime dhe në lëkurë.
“Gazi lotsjellës impaktin e parë e ka në frymëmarrje, më tej shoqërohet edhe me dëmtime në lëkurë. Nuk dihet përmbajtja e lëndëve të përdorura dhe mund të çojë deri në djegie të lëkurës”, u shpreh ajo.
Cenko gjithashtu paralajmëroi për rreziqet që paraqesin plumbat e gomës, sidomos në rast goditjesh në zonën e barkut apo të qafës. Sipas saj, këto goditje mund të sjellin pasoja të rënda shëndetësore.
“Është shumë e habitshme të gjuash me plumb gome edhe në bark, pasi mund të japë gjakderdhje të brendshme, ndërsa në qafë preken zona vitale, arterie”, tha mjekja.

