Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, zhvilloi një takim me zëvendëskryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ku biseduan mbi marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe çështjet që ndikojnë në shqiptarët e këtij vendi.
Spahia e vlerësoi takimin si një mundësi vëllazëror dhe konstruktiv, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes dy shteteve, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe rritjen e përfaqësimit të tyre në institucione.
Gjatë diskutimeve, deputeti demokrat e përgëzoi Malin e Zi për arritjet e tij në procesin e integrimit europian, duke theksuar gjithashtu kontributin e komunitetit shqiptar në këtë rrugëtim.
Sipas Spahisë, u trajtua edhe situata politike në Shqipëri, protestat qytetare, si dhe angazhimi i opozitës për të denoncuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Ai theksoi se sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është një nga kushtet kryesore për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Palët ndanë gjithashtu një vizion të përbashkët për aktivizimin e Grupeve Parlamentare të Miqësisë mes Kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Malit të Zi. Ata e konsideruan dialogun e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin institucional si aspekte të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe konsolidimin e vlerave demokratike.
Në fund të takimit, Spahia shprehu falënderimin e tij ndaj Camajt për mikpritjen dhe shkëmbimin e ideve, duke shprehur mbështetje për arritjet e shqiptarëve në Mal të Zi dhe gatishmërinë për të kontribuar në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve kudo që ndodhen.
“Kënaqësi e veçantë të zhvilloja një takim vëllazëror dhe shumë konstruktiv me Z. Nikollë Camaj, Zv. Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Në qendër të bisedës sonë ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, me një fokus të posaçëm te përmirësimi i pozitës së shqiptarëve, mbrojtja e të drejtave dhe rritja e përfaqësimit institucional të tyre. Ruajtja e identitetit tonë kombëtar është një mision i shenjtë që na bashkon të gjithëve.
E përgëzova Z. Camaj për progresin e rëndësishëm që Mali i Zi ka bërë në rrugën e integrimit Europian duke qenë disa hapa përpara Shqipërisë në këtë proces dhe për rolin e jashtëzakonshëm që faktori shqiptar ka patur dhe ka në mbështetje të këtij rrugëtimi!
Diskutuam gjithashtu për situatën në Shqipëri, protestën qytetare, betejat dhe përpjekjet e vazhdueshme të Partisë Demokratike dhe opozitës Shqiptare në denoncimin e lidhjeve me krimin e organizuar, trafikun e drogës, korrupsionin si dhe nevojën për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Çështje dhe problematika me rëndësi të veçantë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Ndamë të njëjtin vizion mbi domosdoshmërinë e gjallërimit dhe aktivizimit të Grupeve Parlamentare të Miqësisë mes Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Malit të Zi. Dialogu i vazhdueshëm dhe mbështetja e ndërsjellë përmes këtyre mekanizmave janë garanci jo vetëm për thellimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale, por edhe për konsolidimin e vlerave demokratike dhe përshpejtimin e integrimit europian të dy vendeve tona.
E falënderova Z. Camaj për mikpritjen dhe shkëmbimin e frytshëm të ideve, duke i shprehur vlerësimin dhe mbështetjen për arritjet e deritanishme të faktorit shqiptar në Malin e Zi. Gatishmëria dhe vullneti për të kontribuar në dobi të shqiptarëve kudo ndodhen do të jenë gjithmonë të palëkundura.”

