Tre sulme të koordinuara me mjete zjarrvënëse ndodhën në orët e para të së mërkurës në Selanik, duke pasur në shënjestër banesat e tre drejtuesve të partisë greke Demokracia e Re (ND). Si pasojë, pesë persona mbetën të plagosur, ndërsa një grua 70-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë.
Sipas autoriteteve greke, objektivat e sulmeve ishin banesat e kryetarit të Komitetit Drejtues të ND-së në Selanik, Zisis Ioakeimoviç, ish-deputetit Savvas Anastasiadis dhe politikanes Aphrodite Nestora. Dyshohet se autorët lëviznin me motoçikleta dhe kryen sulmet brenda më pak se 20 minutash.
Incidenti më i rëndë ndodhi në zonën Harilaou rreth orës 04:35, ku një zjarr i shkaktuar nga një bombol gazi u përhap në dy automjete dhe dy motoçikleta. Një prej makinave i përkiste Aphrodite Nestorës.
Nëna 70-vjeçare e Nestorës pësoi djegie të rënda në të gjithë trupin dhe po trajtohet e intubuar në repartin e kujdesit intensiv të Spitalit Ippokrateio. Vetë politikania pësoi djegie të lehta në gjymtyrë, ndërsa babai i saj dhe dy banorë të tjerë të pallatit u dërguan në spital me probleme në frymëmarrje.
Pak minuta më herët, në zonën Tumba, një tjetër bombol gazi shpërtheu në hyrje të pallatit ku banon ish-deputeti Savvas Anastasiadis. Shpërthimi shkaktoi dëme materiale në hyrjen e ndërtesës, por nuk pati të lënduar.
Sulmi i parë u regjistrua në Pylaia, ku u vendos dhe u aktivizua një bombol gazi pranë një banese që më parë ishte përdorur nga Zisis Ioakeimoviç. Në këtë rast nuk u raportuan dëme.
Hetimet për tre incidentet janë marrë në dorë nga Shërbimi Antiterrorizëm i Greqisë, i cili po shqyrton mundësinë që sulmet të kenë qenë pjesë e një plani të organizuar dhe të koordinuar kundër drejtuesve të Demokracisë së Re.

