Erërat e forta kanë dëmtuar rëndë shkollën 9-vjeçare në Iballë të Fushë-Arrëzit, duke shkulur një pjesë të konsiderueshme të çatisë së godinës.
Dëmet e shkaktuara nga moti i keq ngrenë shqetësimin për zhvillimin normal të procesit mësimor dhe sigurinë e nxënësve. Ende nuk dihet se ku do të zhvillohet mësimi deri në riparimin e dëmeve.
Probleme janë raportuar edhe në disa banesa të zonës, ku era e fortë dhe reshjet e dendura kanë dëmtuar çatitë.
Administratori i Iballës, Akil Zmajlaj, ka evidentuar dëmet në shkollë dhe banesat e banorëve, ndërsa i është drejtuar qeverisë me kërkesën për ndihmë për përballimin e situatës.
