Një gjest i përfaqësueses së Malit të Zi në konkursin ndërkombëtar të bukurisë “Miss Universe 2026” ka tërhequr vëmendjen në rajon. Maria Aleksandra Ivezaj, 22 vjeçe dhe me origjinë shqiptare, bëri simbolin e shqiponjës dykrenare gjatë paradës së kostumeve kombëtare, të zhvilluar më 21 nëntor në San Juan të Porto Rikos.
Gjesti i saj u komentua gjerësisht në rrjetet sociale, pasi ajo garon nën flamurin e Malit të Zi, ndërsa shqiponja dykrenare lidhet me identitetin kombëtar shqiptar. Modelja e përsëriti simbolin edhe në fotografitë e publikuara në Instagram.
Pas reagimeve të shumta, Ivezaj ka vendosur të shpjegojë publikisht arsyen e veprimit të saj. Ajo tha se e kishte menduar gjestin përpara se të dilte në skenë dhe se dëshironte që vajzat shqiptare që jetojnë në Malin e Zi të ndiheshin të përfaqësuara.
“Doja që vajzat shqiptare nga Mali i Zi të shihnin një pjesë të vetes së tyre aty, bashkë me mua”, shkroi ajo.
22-vjeçarja tregoi se të dy prindërit e saj kanë lindur dhe janë rritur në Malin e Zi, ndërsa familja e saj e ka origjinën nga Tuzi. Ajo theksoi se prejardhja shqiptare dhe lidhja me Malin e Zi janë pjesë e identitetit të saj.
“Kur thashë ‘Mali i Zi’ në atë skenë dhe ngrita shqiponjën, isha krenare për të dyja”, u shpreh modelja, duke shtuar se do ta përsëriste sërish të njëjtin veprim.
Ndërkohë, organizata malazeze Miss Monte ka sqaruar se Ivezaj nuk është përfaqësuesja zyrtare e tyre dhe as mbajtësja e titullit Miss Mali i Zi që kjo organizatë akordon për garën Miss World. Kosovë&Rajon +1
